Dy të rinj u shuan brenda një dite në Durrës. Nuk ishin të njohur me njëri-tjetrin, e vetmja gjë e përbashkët mes tyre, ishin banorë të zonës së Kënetës në Durrës. E nga Këneta e Durrësit dalin dy arkëmorte, të dy të rinjve që nuk e jetuan dot rininë.

Rafaeli, 23 vjeç shkoi në punë si çdo ditë, por në darkë nuk mundi t’ia çonte nënës së moshuar ato pak qindarka me të cilat ditën tjetër do të bënte pazarin dhe do i bënte djalit një pjatë supë, a çorbë. Një aksident fatal do t’i merrte jetën Rafaelit që punonte në gomisteri, duke i lënë prindërit, në gjithë vitet e mbetura me lot në sy, e zemërplasur dhe fqinjët, ata pak që e njihnin familjen e ardhur nga Klosi duke i ngushëlluar.

Një lagje më tutje, në familjen Gjini, ende s’ka përgjigje për pse-të e vdekjes së Anisës 24-vjeçare që mbrëmjen e kaluar, sipas policisë u hodh nga kati i tretë i shtëpisë pas debateve me bashkëshortin 31-vjeçar. Djali 3 vjeç i çiftit ka mbetur tek të afërmit, nuk do e shohë më nënën e tij si kukull, teksa nuk e di se si do ta shohë të atin pas kësaj ngjarjeje.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj ishte në banesën e 24-vjeçares Anisa Gjini, një vilë katër katëshe familjare, e ngritur nga vëllezërit Gjini, ku çifti i bashkëshortëve jetonte në katin e tretë. Të shokuar nga lajmi tronditës kanë qenë të gjithë të afërmit që kanë udhëtuar gjatë gjithë natës për të qenë pranë familjes, pas ngjarjes së rëndë, ku 24-vjeçarja gjeti vdekjen.

Vëllai i bashkëshortit të së resë tha se ishte lajmëruar nga vëllezërit e tjerë për vdekjen e kunatës dhe se nuk i dinte motivet e kësaj ngjarjeje.

“Jemi të shokuar, nuk ishim në dijeni të ndonjë konflikti mes tyre. Na thanë që kunata ka rënë nga ballkoni”, tha ai.

Fqinjët, dëshmitarë thanë se ka qenë ora 23:00 e mbrëmjes së djeshme kur dëgjuan një zhurmë të madhe. “Dolëm jashtë, kur pamë që Anisa ishte hedhur nga ballkoni i katit të tretë. Bashkëshorti e mori dhe e dërgoi në spital, por ajo kishte vdekur. Ata kanë një djalë 3 vjeç dhe nuk i kishim parë kurrë të kishin ndonjë sherr. Nuk kishim dëgjuar ndonjë zënkë. Nuk e dimë pse ndodhi”, thonë ata.

Dhe të afërmit e tjerë thanë se çifti nuk kishte probleme ekonomike-sociale. Gruaja punonte në një fabrikë këpucësh, i shoqi punonte në ndërtim dhe nuk iu mungonte asgjë.

Vila ku jetonin ishte ndërtuar të gjithë bashkë vëllezërit kur ishin vendosur nga Librazhdi në zonën e Kënetës.

Se çfarë ka ndodhur mbrëmë mes çiftit që e detyroi 24-vjeçaren të hidhej nga kati i tretë, mbetet mister dhe pritet dëshmia e 31-vjeçarit Alfred Gjini për të zbardhur motivet e aktit ekstrem të ndërmarrë nga e reja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb