Nga: Fatmira Nikolli*
TIRANE- Duken veçse një tufë rreckash. Të zhubrosura, të pangjyra, të kalbura, të mbledhura shuk. Veçse prej këtyre leckave, do të ‘lindë’ një flamur.

Bëhet fjalë për flamurin e teqes së Jusuf Pashës (Sofi Pashës), në Petrelë, me të cilin paria e Petrelës, duke iu përgjigjur thirrjes së Lidhjes së Prizrenit, shkoi në janar të vitit 1880 në Shkodër për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë, të përcaktuara nga Kongresi i Berlinit për t’ia dhënë Malit të Zi. Flamuri është fetar, turk (nuk mund të ishte ndryshe në atë kohë), dhe mendohet të jetë prodhuar para vitit 1880. Data ende nuk dihet. Gjithë ç’dihet deri më tani, është se në fillimin e 1880-ës ai qe ‘pjesë’ e luftës. “Është i madh, por dimensionet e sakta është e vështirë të thuhen, por ndoshta 2 X 2 metra. Ka një shkrim të marrë nga Kurani ‘La i La e Ilallah’ (Zoti është më i madhi). Por duke e parë me kujdes, rezulton se duhet të ketë pasur edhe një rresht apo dy, me shkrime, të cilët nuk kemi arritur t’i rindërtojmë”, thotë Frederik Stamati, restauratori që ka punuar për një kohë me konservimin e këtij flamuri. Sipas tij, objekti është dorëzuar nga Komuna e Petrelës në fund të vitit 1938 për Muzeun Kombëtar.

Ish-drejtuesi i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë të ish-Institutit të Kulturës Popullore, Stamati, kujton se në laborator erdhi si një shuk lecke i kalbur. “Nuk e di se kur ka ndodhur kjo, si u dëmtua kaq shumë, por është pasojë e mungesës së teknologjisë së konservimit në të gjitha muzeumet e Shqipërisë. E, mbi të gjitha, mungon koncepti i konservimit si detyrë e kimisë dhe e fizikës dhe vetëm e kimisë dhe e fizikës. Në këtë drejtim Shqipëria duhet të bëjë “qilizëm” shkencor. Ndërhyrja e shpëtimit për aq sa kishte mbetur u krye në ish-Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë të ish-Institutit të Kulturës Popullore, laborator që qëndron i mbyllur prej shtatë vjetësh e më shumë”, – tregon ai. Puna e bërë prej tij me objektin më shumë se 130-vjeçar, ka mundur të ndërpresë biodegradimin, por flamuri historik është në gjendje lecke. Stamati tregon se “të gjitha kërkesat e bëra për të siguruar mbështetje financiare shkuan kot.

Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se vetëm komuna e Farkës ofroi me mundësitë e saj 5000 lekë”. Për ta shpëtuar atë, do të duhej një punë restaurimi që shkon më shumë se një vit; edhe kjo, në varësi të metodës që do të përdoret dhe duke angazhuar një ekip specialistësh. Në radhë të parë do të duhet të rindërtohet shkrimi, për të kuptuar se çfarë shkruhej në flamur. E megjithëkëtë, sot, kur Shqipëria nuk e ka më Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë (zyrat e tij janë mbyllur prej shtatë vitesh, ndërsa pajisjet qëndrojnë të mbyllura në ambientet e tij), a do të mund të bëhet më gjë? Sot, flamuri është pjesë e fondit etnografik në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në Institutin e Antropologjisë kulturore. Laboratori? Sot nuk ka më laborator, megjithëse ka përpjekje për ta pasur një të tillë. Dhe nëse jemi në këto kushte, është për mungesë ambientesh apo çfarë? Në këtë pikë, Stamati, i cili tashmë është në pension, kujton se ky është një laborator shkencor, i cili nuk mund të menaxhohet nga kuadro të mesëm, apo punonjës të tjerë, të fushës së konservimit ose restaurimit të cilët nuk janë kimistë. “Ky laborator, më i avancuari që ka pasur Shqipëria, dhe me arritje të nivelit europian, nuk mund të jetë pjesë e institucioneve joshkencore”, – sqaron ai, duke shtuar se nuk mund të drejtohet aq nga QSA e as nga IMK.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb