TIRANA

Gjashtë persona janë arrestuar së fundmi për vepra të ndryshme penale në Tiranë.

”Shqiponjat” në një aksion në rrugën ”Frang Bardhi” kanë ndaluar për kontroll një mjet dhe kanë gjetur kokainë. Si përfundim u arrestua 23-vjeçari W.H.

Po ashtu një 30-vjeçare është arrestuar për dhunë në familje në Kodër Kamëz pasi rrahu prindërit e bashkëshortit.
Ndërkohë edhe një 54-vjeçar te rruga ”Teodor Keko” ra në pranga pasi dhunoi bashkëshorten.

Ndërkohë tre të tjerët ishin drejtues mjetesh që po vozisnin në gjendje të dehur.

NJOFTIMI NGA POLICIA
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

➡️ Forca e posaçme “Shqiponja”, në zbatim të Planit të Masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe evidentimin e personave me lëndë narkotike, në rrugën “Frang Bardhi” kanë ndaluar për kontroll mjetin me drejtues shtetasin W.H. Gjatë kontrollit fizik, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të dyshuar kokainë. Në përfundim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i 23 vjeçarit, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

➡️ Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan në flagrancë shtetasen B.P., 30 vjeçe, pasi në rrugën “Ajet Xhindoli” Kodër Kamëz, në ambientet e banesës pas një konflikti për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj prindërve të bashkëshortit. Atyre iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershëm.

➡️ Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasin I.B., 54 vjeç, pasi në rrugën ”Teodor Keko”, në ambientet e banesës në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes.

➡️ Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit: Sh.Sh. 36 vjeç, B.P. 32 vjeç dhe A.D., 41 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

➡️ Policia ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit në kërkim A.T. 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme në rrugën e “Arbërit” pas një konflikti të çastit dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin E.M, 20 vjeç, nga Tirana, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb