TIRANË

Të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i prokurorit të Sarandës, Sali Hasa, pas hetimit një-vjeçar nga SPAK.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se SPAK ka nisur hetimet në vitin 2020 për një grup të strukturuar kriminal, që kryente trafik droge, gjë që çoi në zbulimin e një rasti korrupsioni në sistemin e drejtësisë, si dhe trukim ndeshjesh.

Hetimi i SPAK u finalizua me arrestimin e 6 personave, mes të cilëve edhe prokurori Hasa.

Çfarë e “fundosi” prokurorinë Hasa?
Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se nga hetimi prokurori Altin Dumani ka zbuluar se prokurori Sali Hasa kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta, por që ka pushuar çështjen ndaj tij pas ndërhyrjes së motrës së të dyshuarit, Elsona Papa, e cila është lënë në “arrest shtëpiak”. Kjo e fundit dyshohet se i ka dhënë ryshfet prokurorit për të shpëtuar vëllain.

Si u zbuluan arbitri dhe zyrtari i klubit të futbollit?
Siç raporton gazetarja Lala, hetimi për prokurorin Hasa, ka çuar prokurorin e SPAK, Altin Dumani, në zbulimin e trukimit të ndeshjes Selenica-Përmeti.

Nga përgjimet rezulton se ndeshja ishte paracaktuar dhe do të fitonte klubi Përmeti 1-0 me penallti. Siç rezulton në përgjime, ashtu ka rezultuar edhe në realitet, ku zyrtarët e arrestuar kanë lejuar paracaktimin e kësaj ndeshjeje.

Po ashtu, përgjimet zbuluan edhe rastin kur oficeri i policisë gjyqësore, Napolon Hodaj, ndihmoi një të dyshuar për vjedhje me dhunë dhe plagosje t’u shpëtonte akuzave. Në këtë episod përfshihet edhe ish-eksperti mjeku ligjor, Hysen Korenica, i cili dyshohet për ekspertim të rremë dhe do të hetohet të gjendje të lirë. SPAK urdhëroi kontroll edhe në zyrat e banesave të të dyshuarve dhe po kryen hetime të mëtejshme edhe për disa episode dhe krime të tjera të mundshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb