Analisti Fatos Lubonja, ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “FrontLine” të gazetares Marsela Karapanço. Ai u ndal gjatë analizës së tij në dy aspekte, në publikimin e pagave dhe të dhënave personale, si dhe opozitën.

Lubonja tha se publikimi i të dhënave është një skandal i madh që gjenezën e ka në sistemin e patronazhistëve. Nëse do të kishte një hetim më të plotë në publikimin e të dhënave pak javë para zgjedhjeve, atëherë hetimi për rastin e ditëve të fundit do të ishte më i lehtë e i shpejtë.

“Ka hipoteza të ndryshme lidhur me çfarë fshihet me publikimin e të dhënave personale. Sigurisht ne kemi të drejtë të insistojmë që prokuroria të hetojë dhe të nxjerrë prova. Këtu mund të rreshtoj disa hipoteza. Më i lënduar këtu është Edi Rama dhe qeveria. Unë besoj këtë tjetrën që mundet që brenda partisë ka divergjenca, ka njerëz që kanë mbetur të zhgënjyer, ndoshta grupime të mëdhaja, janë hipoteza gjithmonë. Janë hipoteza të njerëzve që presin shpëtim nga këto gjëra. Me siguri di të them që burimi kryesor nga janë mbledhur lidhet padyshim me patronazhistët, aty është burimi nga kanë dalë. Për patronazhistët jemi të qartë që u nxorën nga njerëz që donin të godisnin partinë në pushtet qartazi. Ka vazhdimësi sepse goditet imazhi i shtetit, puna e Edi Ramës dhe qeverisë. Hipoteza e parë është që ka njerëz që duan ta godasin. Besoj se qëndron ideja se nëse prokuroria do të donte të hetonte rastin e parë nga ku kanë dalë, mund ta kishin më të lehtë herën e dytë. Unë nuk mendoj se hidhen pista sa për konfirmim mediatik.

Nuk kam shumë besim në këtë rast, sepse të paktën do të ishte zbuluar. Është ai që i ka nxjerr dhe kush i ka grumbulluar. Herën e parë e dimë që janë grumbulluar nga shteti për shërbime elektorale. Siç e thashë kjo tërheq vëmendjen, por varet se çfarë vëmendje ke. Normalisht ne duhet të kemi aftësinë të lidhim skandalet. Nuk e shoh këtë të ndarë nga skandali i patronazhistëve, që janë nxjerrë të dhënat për të kontrolluar shtetasit. Duhen parë bashkazi. Kjo duhet parë e lidhur me inceneratorët. Pse? Sepse aty kemi të bëjmë me një grabitje, të pronës publike. Kjo ka krijuar midis të tjerave një kaos. Të gjithë hedhin baltë me njëri-tjetrin. Është një gjë për të ulëritur dhe për të bërë një ndryshim të madh. Kur s’kemi pikë referimi, s’kemi ku të gjejmë shpëtimin”, tha Lubonja.

Për opozitën, ai tha se po shkon në një përcarje. Sipas tij, nëse Berisha do të rikthejej sërish në krye, partia mund të bëhej më e fortë, por nga ana tjetër, do të kishte 1 mijë probleme.

“Si ngjarje më të rëndësishme unë shikoj shkatërrimin e opozitës, duke nisur nga zgjedhjet e mbrapa. Unë shikoj hapa të mëtejshme në spiralen e krimit të një partie shtet që ka mbetur që kërkon të eliminojë dhe opozitën. E vështirë është të bësh parashikime ça do të ndodhë. Mjetet e dhunshme brenda një partie janë pa shije të mirë. Për mua duhet të ishte bërë një ballafaqim i qartë. Lufta që krijuan me njëri-tjetrin për ta marrë me hile, me dhunë, është një dështim për të dyja palët në atë opozitë. Berisha ka më shumë partinë, por Basha ka kryesinë, deputetët një pjesë dhe zyrat. Të dy pretendojnë se kanë shumicën. Në këtë rast mbetet mungesa e arbitrit si problem. Nëse nuk pranohet një arbitër nga të dyja palët lindin probleme dhe dhuna. Dhuna ka problemet e veta. Kjo situatë do të vazhdojë edhe më gjatë. Dy votimet nuk janë pranuar. Tani ose do të pranojmë gjykatat që janë të dyshimta, siç pamë me patronazhistët.

Por pyetja në parim është a është normale të ketë protesta? Protesta ka edhe në SHBA. Ata që thonë se kjo parti do të forcohet që tani e mbrapa, për mua e kanë gabim, megjithatë koha do e tregojë. Unë mendoj se partia nuk do të forcohet, por përkundrazi është zhytur më keq. Përsëri me shumë probleme e shikoj. E para do të ketë një gjysmë partie. Ndonëse jam kundër ndërhyrjes së ndërkombëtarëve mendoj që Shqipëria nuk ka arritur atë pjekuri të qeveriset në forma autonome. Berisha ka një histori se i është dhënë 2 herë fati të na qeverisë dhe na ka dhënë atë sistem që Rama e ka çuar në ekstrem. Nga kjo pikëpamje ka një aspekt pozitiv se opozita bëhet më e fuqishme. Por mendoj që Berisha do të ketë 1 mijë sfida që nuk i zgjidh dot”, tha Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb