Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë, nëpërmjet të cilit qytetarët dhe donator të ndryshëm do të kenë mundësi të kontribuojnë.

Lajmi u njoftua nga kryeministri Albin Kurti i cili sqaroi se fondi u themelua bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, referuar edhe situatës aktuale pas konsultime me partner ndërkombëtarë.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, njoftoi kryeministri Kurti ditën djeshme.

Pas këtij njoftimi nuk kanë munguar edhe reagimet nga qytetarë dhe zyrtarë të cilët jo vetëm e kanë mirëpritur këtë vendin, por nga dita e martë, kur edhe u miratua Fondi, nisën të jepen edhe donacionet e para për të forcuar sigurinë shtetërore.

Mediat në Kosovë kanë bërë me dije se ndër donatorët e parë janë:

Ardian Hoxha, pronar i DuplexClub, ka thënë se si falënderim për lirimin e masave, biznesi i tij do të dhurojë çdo muaj nga 10,000 euro (dhjetë mijë euro) për Fondin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Kompania Frutex e biznesmenit Shaqir Palushi po ashtu ndau 10,000 euro për Fondin e Sigurisë së Kosovës.

Deputetja e Vetëvendosjes Fjolla Ujkani, bëri me dije se do të ofrojë 5 mijë euro nga kursimet familjare për Fondin e Sigurisë .

“Kursimet familjare në vlerë prej 5000€, do t’i dhurojmë kontribut për sigurinë e fëmijëve tanë!”, ka shkruar Ujkani.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami ka dhuruar pagën e muajit shkurt për Fondin e Sigurisë.

“Duke e parë sa e rëndësishme është siguria, kam vendosur që pagën për muajin shkurt, ta jap donacion për Fondin e FSK-së”.

Edhe një tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fitim Haziri, ka bërë të ditur se një pjesë të pagës së tij do ta ndajë për Fondin e Sigurisë.

“Një pjesë të pagës së deputetit do ta dhuroj për këtë fond. Ky veprim do të jetë i vazhdueshëm edhe për disa muaj të tjerë”.

Gjithashtu këngëtari dhe humanisti Labinot Tahiri ka premtuar se do të ndajë 5 mijë euro për Fondin e Sigurisë

“Personalisht nga mbrëmjet e mia që kam në këtë javë, para të cilat i marrë nga Diaspora, do ti dhurojë 3000€ në fondin për siguri, e po ashtu 2000€ nga Fondacioni ynë i cili është i fuqishëm nga duart e shqiptarëve”, ka njoftuar Labi.

Ndërkohë, presidenti i klubit futbollistik Gjilani, Florim Zuka, ka ofruar 50,000 euro për Fondin e Sigurisë të hapur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Duke e parë sa e rëndësishme është siguria, kam vendosur që ta jap donacion këtë shifër e cila mund të jetë simbolike, por shumë e domosdoshme për Fondin e FSK-së”, deklaroi presidenti Zuka.

Ndërkaq themelimin e fondit e kanë përshëndetur edhe parti opozitare në Kosovë.

Fondi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb