Para një viti Vedat Muriqi zbarkoi në Mallorca, duke u kthyer në protagonist absolut për ekipin e tij. Ishte merkatoja dimërore e sezonit 2021-2022 dhe skuadrës së La Liga i duhej një sulmues i fortë për të mbijetuar mes më të mirëve.

Ardhja e kosovarit i befasoi tifozët vendas. Ai nuk po luante me Lazion dhe numrat e tij nuk ishin më tërheqës. 33 ndeshje dhe 14 gola më vonë, Muriqi tashmë është idhull në Mallorca.

“Pirati”, i cili e përjetoi luftën ballkanike (genocidin serb në Kosovë) si fëmijë, dha një intervistë për “MARCA”, ku bëri me dije se qëndrimi i tij në ishull do të jetë afatgjatë.

Rikthimi në garë pas pushimit të Botërorit duket se ka ndikuar veçanërisht te Mallorca…

Ne ishim skuadra e fundit që donim pushim në atë kohë. Në katër ndeshje shumë të vështira morëm dhjetë pikë dhe kishim shumë besim e dëshirë. Pas pushimit është më e vështirë, sepse duhet të rifitosh besimin nga ndeshjet, por edhe në nivel fizik e mendor.

Fitorja ndaj Valladolidit na ka dhënë shumë besim. Nuk doja një pushim në mes të sezonit, ishte mirë si më parë, kur mbyllej sezoni dhe më pas mbahej Kupa e Botës në verë. Shpresojmë të fillojmë të jemi si para pushimit.

Është folur shumë për përfshirjen tuaj të mundshme në merkaton e janarit. Është një opsion që përjashtohet apo mund të ndodhë?

Nuk kam menduar kurrë të largohem. As në janar, me 100%. Gjithsesi është diçka që nuk është në dorën time, sepse ndonjëherë vjen një skuadër që mund të pajtohet me Mallorca. Klubi im mund të më thonë se do të të shesim dhe nuk mund të them asgjë.

Kam një kontratë shumëvjeçare me Mallorca dhe nuk dua të largohem kurrë. Jam i lumtur këtu, edhe familja ime, po luaj dhe po kaloj mirë. Pra, nuk kam menduar kurrë të largohem. Nëse Pablo Ortells (drejtori sportiv) vjen tek unë, do të përpiqem t’i them se nuk do të largohem, por këto gjëra nuk janë në dorën time. Nëse duhet të vendos vetë, është e qartë që do të qëndroj këtu.

Nëse do të varej nga ju, a do ta mbyllnit karrierën te Mallorca?

Po, sepse mua më pëlqen shumë ky mot. Jemi në janar dhe ka diell. Familja ime është rehat, fëmijët shkojnë shumë mirë në shkollë… Ndonjëherë, kur ke familje dhe fëmijë, duhet të mendosh më shumë për ta sesa për veten, dhe këtë po bëj tani. Komod ndihem edhe vetë, sepse jam mirë që pas Fenerbahçes. Kur shkova te Lazio kisha një përvojë të keqe dhe nuk dua të dështoj më.

Dyshja Muriqi-Kang In ka shënuar më shumë se 50% të golave të skuadrës. Po ashtu flitet se ai mund të largohet në janar…

Nuk e lejoj të largohet (qesh). Kang In do të jetë me mua këtu në Mallorca. Janë gjëra të klubit, kjo nuk është puna jonë. Ne stërvitemi çdo ditë dhe do të vazhdojmë kështu.

Keni përmendur të gjithë periudhën tuaj te Fenerbahçe dhe Lazio. Në planin mendor dhe psikologjik, si arritët që nga mos luajtja fare në Itali të bëheshit pjesë themelore e Mallorca?

E kam thënë gjithmonë se kam një mentalitet shumë të fortë. Kam kaluar dy muaj te Lazio, shumë të këqij në të gjitha aspektet. Gruaja ime më ndihmoi shumë për këtë, ajo ishte gjithmonë me mua. Kur erdha këtu, pasi nuk luajta në Itali, e prisja me padurim. E dija që mund të ishin katër muajt e fundit në një nivel të lartë. Kjo është arsyeja pse unë doja t’i bëja gjërat siç duhet. Këtu që nga dita e parë më dhanë shumë besim. Edhe tifozët, prandaj doja t’ua shpërbleja.

Pasi mbërrite në ishull, fansat iu dorëzuan figurës suaj, të mbiquajtur “Pirati”…

Janë njerëz shumë të qetë që, nëse nuk luan mirë apo humbet, sërish të mbështesin. Më kujtohet dita kur humbëm 2-6 kundër Granadës. Atë ditë, po të pyesje dikë nga skuadra, të gjithë do të të thoshin se ne ishim tashmë në Kategorinë e Dytë. Por tifozët kishin besim, prej tyre besuam edhe ne. Në rastin tim, kur bën mirë, shënon gola dhe lufton, është normale që ata të të duan. Një mijë faleminderime për ta, sepse më japin shumë besim dhe ja ku jam, si në shtëpi.

A ju pëlqen si luan Mallorca? Ndonjëherë jeni kritikuar si tepër konservatorë, por realiteti është se kjo Mallorca është e pesta më e mira e shekullit të 21-të…

Unë jam sulmues dhe dua të shënoj gola. Është e vërtetë që luajtëm pak në mbrojtje, por në fund të sezonit askush nuk pyet se si keni luajtur, ata shikojnë vetëm tabelën e renditjes; shohin nëse jeni në La Liga apo jo.

Duke folur për lojën e skuadrës, si e vlerësoni figurën e Javier Aguirre?

Që në ditën e parë që ka ardhur si trajner ka qenë shumë i sjellshëm me të gjithë. Kur erdhi ai kishim 12 ndeshje pa fituar, ishim në një moment shumë të vështirë. Mbi të gjitha ai u fokusua në mos shënimin e golave. Kjo na dha shumë besim. Tani, këtë sezon, skuadra ka ndryshuar, por nuk do të thosha 100%. Trajneri ka sjellë gjithë përvojën e tij, është shumë i disiplinuar dhe kjo më pëlqen shumë. Ka shumë lojtarë që luajnë te Mallorca dhe kur të dalin në “pension” qëndrojnë në ishull.

A planifikoni të investoni këtu?

Kam tetë vite që jetoj në Turqi dhe gjithmonë kam dashur të jetoj atje. Madje kam bërë gjëra për të qenë atje, por kur mbërrita në Mallorca… Kam gati një vit në ishull dhe e vërteta është se më ka ndryshuar shumë. Tashmë jam duke kërkuar një shtëpi për të jetuar.

Në vitet 1990 shpërtheu Lufta Ballkanike dhe ty të kapi si fëmijë. Si e kujtoni atë kohë?

Unë gjithmonë them që asnjë qenie njerëzore nuk duhet të shohë gjërat që kam parë unë gjatë atyre viteve. Duhej të arratisesha nga shtëpia sepse erdhën disa ushtarë e na thanë se do të vendosnin bomba. Pra, duhej të iknim. Shkuam në Shqipëri dhe ishte një kohë shumë e vështirë. Nëse shikoj pjesën pozitive, ajo luftë me bën që tani të vlerësoj gjërat e vogla shumë më tepër.

Ju punonit që në moshë shumë të re. Si ishte kalimi juaj nga fëmijë në të rritur?

Fillova të punoja në një restorant në pronësi të dajave të mi kur isha nëntë vjeç. Aty bëja gjithçka: kamarierin, ndihmësin në kuzhinë etj. E gjithë kjo derisa mbërrita në Shqipëri në moshën 16-vjeçare. Gjatë asaj kohe, vetëm unë mund të punoja për të mbajtur nënën dhe motrën, pasi babai im vdiq në luftë.

Asokohe merresha me shkollën dhe luaja futboll. Kjo është arsyeja pse vendosa ta lija shkollën, sepse nuk mund ta lija futbollin, që është jeta ime. E di që nuk kam bërë mirë duke e lënë shkollën, por tani mund të them se kam qenë shumë me fat.

Si i duket futbolli një fëmije që po përjeton një luftë të drejtpërdrejtë?

Pas luftës, ekipi nga qyteti im njoftoi se do të merrnin fëmijët të luanin dhe të stërviteshin. Nëna ime, e cila e pëlqen shumë futbollin, më shtyu të shkoja në stërvitje, edhe pse ishte shumë larg shtëpisë sonë. Asnjëherë në jetën time nuk kam menduar se mund të bëhesha një lojtar profesionist. As nuk e imagjinoja të shkoja në Turqi, të shënoja gola, të shkoja në Serie A… Nuk mund ta imagjinoja kurrë, sepse ishte shumë e vështirë të dilja prej andej. Në fund ia dola falë mentalitetit, punës dhe fatit tim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb