Egnatia prej disa javësh ka marrë kreun e klasifikimit në Superiore dhe ka si synim të mos e lëshojë deri në fund, duke përsëritur kështu sezonin e kaluar.
Deri tani gjërat janë në rrugë të mbarë, me rrogozhinasit që vijnë pas 8 fitoresh radhazi, 6 prej të cilave në kampionat dhe 2 të tjera në Kupën. Një situatë kjo që i bën ata të avantazhuar përballë Partizanit të shtunën, kur do të pretendohet fitorja e 9-të radhazi. Trajneri Edlir Tetova nuk do të ketë shërbimet e mbrojtësit Arbenit Xhemajli, që ka mbushur numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe në fundjavë duhet të pushojë. Në anën tjetër, shpresohet për rikthimin e atyre lojtarëve që munguan për shkak viroze ndaj Elbasanit. Rikthehet nga skualifikimi mbrojtësi i djathtë, Abdurrahman Fangaj.
MINI LAÇ – Drejtuesit e Egnatias janë përpjekur të kompozojnë një skuadër që të konkurrojë denjësisht në të dy frontet në futbollin shqiptar. Po ashtu, kërkohet që skuadra të jetë gati edhe për kupat e Europës. Nga një vëzhgim i “Panorama Sport” bie në sy fakti se Egnatia aktualisht është një mini Laç. Janë 7 lojtarë të kësaj skuadre që kanë të përbashkët te kaluarën me kurbinasit. Është thjesht rastësi apo një strategji, kjo gjë nuk dihet, por vazhdimisht klubet shqiptare janë përforcuar me lojtarë që kanë luajtur më herët me kurbinasit. I fundit që erdhi nga bardhezinjtë te kampionët në fuqi është portieri Mario Dajsinani. Ai la Laçin për Egnatian në merkaton e dimrit, duke e përforcuar më shumë grupin që drejtohet nga trajneri Tetova. Më parë gjatë këtij sezoni ka bërë të njëjtën gjë mesfushori Serxho Ujka.
Të tjerë ish-lojtarë të Laçit bëjnë pjesë te të gjitha repartet e ekipit rrogozhinas dhe konsiderohen pika kyçe për kampionët. Abdurraman Fangaj, Renato Malota dhe Edison Ndreca në mbrojtje janë 3 lojtarë të tjerë me të shkuar si bardhezi. Kjo listë shtohet edhe me mesfushorët Regi Lushkja dhe Serxho Ujka, gjithashtu protagonistë absolutë të kësaj Egnatie. Madje i pari është kthyer edhe në golashënues këtë sezon për rrogozhinasit. Ka edhe një lojtar në sulm që po pret shpërthimin dhe ai është Saliou Guindo. Afrikani ka ardhur gjithashtu në merkaton e janarit, por pa lënë ende shenjën e tij në skuadër, edhe pse në klub besojnë shumë te cilësitë e tij. Kështu, mund të thuhet se një meritë për performancën dhe rezultatet e rrogozhinasve këtë edicion e kanë edhe kurbinasit.