Verën e shkuar, martesa e Murinjos dhe Guardiolës me klubet e Mançesterit zuri titujt kryesorë të lajmeve. Këtë herë janë futbollistët ata që do të zënë vëmendjen më të madhe me 6 klubet kryesore të Anglisë që do kërkojnë të përforcohen, ashtu si dhe superfuqitë europiane: Barcelona, Reali dhe PSG. Një numër i madh futbollistësh do të zënë skenën kryesore të historive më interesante këto muaj të nxehtë, nga më të mirët e Premier Ligës (Hazard, De Gea, Sançez dhe Lukaku), deri tek emrat botërorë të Grizmanit apo Hames Rodrigezit, të cilët pritet të transferohen në ishull.

ROMELU LUKAKU (EVERTON)
Lukaku është golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Premier Ligë dhe sapo ka festuar 24-vjetorin e tij. Trajneri i Çelsit, Antonio Konte, është një tifoz i belgut dhe kërkon të bindë hierarkinë e klubit që ta risjellë në “Stamford Bridge”, pasi e shitën atë për 28 milionë paund në vitin 2014.
Një konkurrent i kampionëve do të jetë Mançester Junajtid, edhe pse Zhoze Murinjo ishte trajneri që e largoi nga Londra. Portugezit i duhet një sulmues qendre pas dëmtimit të rëndë të Ibrahimoviçit, por ai duhet ta ndajë mendjen se Lukaku është sulmuesi për të cilin ka nevojë. Kartoni i tij llogaritet te 65 milionë paundët dhe, veç Çelsit e Mançester Junajtid, për të interesohet edhe Bajerni.

KILIAN MBAPE (MONAKO)
I destinuar që një ditë të zëvendësojë Pogbanë si lojtari më i shtrenjtë në histori dhe mund të ndodhë që këtë verë. 18-vjeçari është etiketuar si superylli i ardhshëm i kësaj loje dhe u bë lojtari më i ri që ka shënuar në një gjysmëfinale Champions-i. Për shërbimet e sulmuesit janë të interesuara thuajse të gjitha klubet e njohura të Europës, përfshirë Mançester Junajtid dhe Arsenalin nga Premier Liga, por Reali është favorit, pasi parashikojnë që ai të formojë një treshe të pandalshme në sulm së bashku me Ronaldon dhe Bejlin. Dyshimi i vetëm është nëse Mbape do të presë edhe 12 muaj përpara se të lëvizë nga Monako. Ai është shumë i ri dhe trajneri i Francës, Didie Deshamps, kërkon sa më pak zhurmë rreth tij një vit përpara Botërorit. Kartoni i tij vlerë- sohet te 90 milionë paundët dhe klubet e interesuara janë Reali, Arsenali, Junajtid dhe Bajerni.

HAMES RODRIGEZ (REAL MADRID)
Shënoi golin më të bukur në Botërorin e fundit për Kolumbinë, por Rodrigez nuk u bë dot një “galaktik” i vërtetë në “Bernabeu”. Ai u sakrifikua nga Zidan për më tepër siguri në mesfushën defensive që jep Kasemiro. Reali po kërkon një blerës për 25-vjeçarin dhe Junajtid është i interesuar për ta paguar vlerën e 60 milionë paundëve që spanjollët kërkojnë minimalisht për ta shitur, sepse e blenë 63 milionë paund nga Monako në 2014. Veç Murinjos, ai pëlqehet edhe nga Guardiola. Mund të kemi një derbi në Mançester.

EDEN HAZARD (ÇELSI)
Reali kërkon gjithnjë më të mirët dhe Hazard është cilësuar gjithnjë si sulmuesi më i mirë në Premier Ligë këtë sezon, edhe pse Kante i rrëmbeu çmimin e lojtarit të sezonit. 26-vjeçari admirohet nga Zidani dhe shitja e Hamesit mund të subvencionojë këtë superlëvizje.
Pengesa e vetme është vetoja e Kontes, i cili do të nisë ndërtimin e skuadrës së re për Champions-in. Hazard duhet të nisë rebelimin nëse dëshiron të largohet, ashtu siç bëri Bejl te Totenhemi. Kartoni i tij vlerësohet 80 milionë paund dhe, nëse do të largohet, do të shkojë vetëm te Reali.

DAVID DE GEA (MAN. JUNAJTID)
Është ende një mister përse De Gea nuk shkoi në “Bernabeu” dy vite më parë, kur dy klubet ranë dakord. Por ndjesia është se portieri spanjoll do të kthehet në shtëpi.
Vendimi i Murinjos për të luajtur me Romeron dhe Pereiran në dy ndeshjet e fundit në kampionat, ndoshta është përgatitje për jetën pa ish-portierin e Atletikos. Kartoni i kushton 35 milionë paund.

ANTUAN GRIZMAN (ATLETIKO MADRID)
Murinjo dëshiron një tjetër superyll, me Ibrën që ndoshta nuk do të jetë më pjesë e skuadrës dhe kush më mirë se ikona e futbollit francez do të vishte këpucët e suedezit.
Atij do t’i ofrohet një kontrata faraonike për të shkuar në “Old Trafford”. Sulmuesi i Atletikos është identikiti perfekt i asaj që kërkon Murinjo: një lojtar me cilësi teknike që jo vetëm të shënojë, por edhe të krijojë. Kushton 85 milionë paund dhe, veç Junajtid, i interesuar është edhe Arsenali.

MAJKËLL KIN (BËRNLEJ)
Një qendërmbrojtës anglez, i cili ka shpërthyer gjatë tri sezoneve te Bërnlej dhe tani duket gati për të bërë.hapin e madh. Evertoni, Liverpuli, Çelsi dhe Mançester Junajtid interesohen për 24- vjeçarin. Por Junajtid ka përparësi, duke qenë se e kanë pasur ish-lojtarin e tyre dhe mund ta transferojnë 20% më lirë se rivalët. Kartoni i tij vlerësohet te 25-30 milionë paundët.

ROS BARKLEJ (EVERTON)
Trajneri i Evertonit, Ronald Kuman, i ka kërkuar klubit që ta shesë mesfushorin në rast se ai nuk pranon të rinovojë. Bisedimet aktuale kanë ngecur, sepse klubi ofron 100 mijë paund në javë, ndërsa mëngjarashi kërkon 145 mijë. Për të mos e humbur me parametra zero (hyn në vitin e fundit të kontratës këtë verë), liverpulasit mund të jenë të detyruar ta shesin. Kartoni kushton 40 milionë paund dhe interesohen dy klubet e Londrës, Arsenali dhe Totenhemi, por edhe Junajtid.

DIEGO KOSTA (ÇELSI)
Sulmuesi i bluve ishte subjekt i spekulimeve në merkaton e janarit me interesin që vjen nga Kina. Tifozët e Çelsit nuk janë ndier mirë kur kanë dëgjuar ish-lojtarin e tyre Oskar që e fton në Azinë e Largët. “Ai është në kërkim të lumturisë”, tha braziliani. Por nëse lumturia matet nga zerot në bankë, atëherë është e sigurt që Kosta do ta gjejë atje, sepse i ofrohen 670 mijë paund në javë dhe kështu do të bëhej lojtari më i paguar në botë. Kartoni i kushton 75 milionë paund dhe interesohen klubi kinez Tianjin Kuanjian, por edhe ish-klubi Atletiko Madrid.

ALEKSIS SANÇEZ (ARSENAL)
Ndoshta lojtari më i talentuar i Premier Ligës. Por gjuha e trupit e sulmuesit kilian nuk e fsheh dot zhgënjimin që po kalon tek Arsenali.Sancez
Ai do të vazhdojë të bëjë magjitë e tij edhe këtë ndeshje të mbetur, për të bindur klubin që të kollitet dhe t’i paguajë kërkesën e tij të fundit financiare, 300 mijë paund në javë. Kartoni i kushton 60 milionë paund dhe klubet në radhë janë Siti, Bajerni, PSG dhe Çelsi.

SERXHO AGUERO (MAN. SITI)
Një golashënues i lindur. Ka shënuar 31 gola këtë sezon edhe mes dëmtimeve dhe stolit, por nuk është i preferuari i Guardiolës që i beson frontit të ri me Zhezus, Sane dhe Sterling. Në moshën 28-vjeçare, argjentinasi ndoshta është shumë i vjetër për të ndryshuar konceptet e tij të futbollit, por ai është një makineri golash. Guardiola i ka thënë se është ende në planet e tij, por Kun mund të kërkojë një rrugë shpëtimi drejt Barcelonës apo PSGsë që duhet të paguajnë 60 milionë paund.

KAJL UOKER (TOTENHEM)
Guardiola ka përparësi të gjejë dy mbrojtës sulmues krahu, ashtu siç Konte ka bërë këtë sezon te Çelsi dhe forca fizike e Uokerit e bën një shënjestër. Dikur konsiderohej i pashitshëm nga Poçetino, por tekniku argjentinas ia ka besuar Kieran Tripierit korsinë e djathtë në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Barcelona është gjithashtu në kërkim të një mbrojtësi të djathtë, pasi nuk arritën ta zëvendësojnë Dani Alveshin. Kartoni i kushton 30 milionë paund dhe në valle është edhe Mançester Junajtid./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: