Teuta po përgatit tri goditje të mëdha në merkaton e janarit, për të kompensuar disi dëmet e pjesës së parë të kampionatit, ku shumë prej afrimeve të verës zhgënjyen.

“Panorama Sport” mëson se janë tre lojtarë afër firmës dhe bëhet fjalë për sulmuesit Rubin Hebaj dhe Arturo Rexhinaldo, si dhe mbrojtësin Jurgen Goxha.

Prioriteti është sigurisht mbrojtja, ku duhet të zëvendësohet një lojtar shumë i rëndësishëm si Aleksi, i cili është mesfushor shkatërrues dhe është detyruar të luajë në atë rol.

Në krye të preferencave të Teutës është Goxha, që aktualisht është pjesë e klubit azer, Sabail. Edhe pse kontrata e tij është edhe për gjashtë muaj në klubin aktual, gjasat janë që ta prishë dhe më pas të zgjedhë durrsakët për të vijuar karrierën.

Goxha
Goxha

Ndërkohë, gazeta zbulon se Hebaj i larguar së fundmi nga Shkëndija e Tetovës, është më pranë se kurrë rikthimit në Durrës. Sulmuesi ka qenë pjesë e kampionëve në fuqi edhe në sezonin e titullit, por zgjodhi të largohej në merkaton e janarit.

Fakti që trajneri Edi Martini e njeh mirë shkodranin, dëshiron ta ketë sërish në skuadër.

Hebaj
Hebaj

Në orët e fundit ka pasur negociata të avancuara edhe me sulmuesin nga Mozambiku, Rexhinaldo, i cili ka qenë për tri vite radhazi në kampionatin e Kazakistanit, duke luajtur për skuadra si Shaktjor Karagandi, Kaisar dhe Akzhaik.

Gjithashtu, Rexhinaldo ka qenë edhe pjesë e Shkupit në Maqedoninë e Veriut. Sulmuesi e njeh mirë Superioren, pasi ka luajtur me skuadra si Luftëtari, Laçi dhe Kukësi, prandaj dhe durrsakët besojnë se me afrimin e tij do të blindojnë repartin e avancuar.

Aktualisht palët po negociojnë dhe gjasat janë që në fund të arrihet një marrëveshje për një vit e gjysmë.

Rezhinaldo
Rezhinaldo

LËVIZJET- Fantazisti Sherif Kallaku ishte lojtari i parë që u largua nga Teuta pas përfundimit të javës së 15- të. Përfundimi i huazimit nga Lokomotiva e Zagrebit bëri që palët të ndaheshin.

Ndërkohë, ashtu siç ka paralajmëruar gazeta, në listën e largimeve nga Teuta janë edhe sulmuesit Pepi Gjorgiev dhe Kevin Koubemba.

Të dy nuk kanë përmbushur prishtmëritë në pjesën e parë të sezonit dhe klubi pritet të zgjidhë kontratat pasi të gjejë gjuhën e përbashkët me të dy lojtarët. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb