Instituti i Teknologjisë i Masaçusets (MIT) në Boston, SHBA ka përpiluar një listë me 10 teknologji dhe inovacione, të cilat mund të kenë një ndikim pak a shumë të rëndësishëm në jetën tonë në muajt e ardhshëm. Ja cilat janë ato:

1. Fundi i përdorimit të fjalëkalimeve
Ne i kemi përdorur ato për më shumë se 20 vjet. Kemi dhjetëra apo edhe qindra prej tyre:vargje tekstesh pak a shumë komplekse, që kanë për detyrë të mbrojnë jetën tonë në internet. Ne i besojmë fjalëkalimeve për të hyrë në smartfonin tonë, fotografitë, rrjetet sociale, llogaritë bankare rrjedhëse në banka.

Por ekzistenca e tyre mund të sfidohet së shpejti nga forma të reja, më të sigurta dhe praktike të vërtetimit të identitetit: sistemet e njohjes biometrike si shenjat e gishtërinjve ose skanimet e syve, kodet e vërtetimit nëpërmjet sms. Ndaj harrimi i fjalëkalimit tuaj mund të mos jetë më një problem.

2. Ndjekja e varianteve të Covid-19
Pandemia e Covid-it ka nxitur akoma më shumë investimet në sekuencimin e gjenomit, dhe e ka rritur disponueshmërinë e teknologjive për identifikimin e varianteve të reja të koronavirusit në mbarë botën. Falë këtyre sistemeve shkencëtarët mund të identifikojnë tani gati në kohë reale shfaqjen e varianteve të reja të Covid-it, dhe të gjurmojnë me shumë saktësi përhapjen e tyre.

3. Mega-bateritë
Nevoja për t’i zëvendësuar lëndët djegëse fosile me burime energjie të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, është e njohur prej të paktën 20 vjetësh. Por javët e fundit, kriza energjetike e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, i ka përballur vendet perëndimore me pasoja shumë të rënda të varësisë nga nafta dhe gazi rus.

Investimi tek burimet e rinovueshme, duket si strategjia më e arsyeshme. Por ai nuk ka të bëjë vetëm me instalimin e paneleve fotovoltaike dhe turbinave me erë. Një nga problemet kryesore, mbetet ai i aftësisë për të akumuluar energjinë e prodhuar, dhe për ta hedhur atë në rrjet kur ka kërkesë për të.

Për shembull, do të ishte e dobishme të mund të grumbullohej shumë energji fotovoltaike gjatë ditës, për ta bërë atë të përdorshme gjatë natës. Për këtë arsye, kompanitë në sektorin e energjisë po investojnë shumë burime në zhvillimin e baterive me një koncept të ri, pra që të jenë më të lira dhe më efikase për t’u integruar në rrjetet e shpërndarjes.

4. Inteligjenca Artificiale për proteinat
Në trupin tonë, dhe në përgjithësi në biologji, gjithçka ka të bëjë me proteinat, dhe mënyra se si një proteinë paloset në vetvete përcakton edhe mënyrën se si funksionon ajo. Teknologjive aktuale mund të duhen muaj për të identifikuar strukturën e një proteine.

Për këtë arsye ekspertët e kompanisë Google kanë zhvilluar një sistem të Inteligjencës Artificiale në kuadër të projektit “Deep Mind”, që mund ta zgjidhë shumë më shpejt këtë enigmë. Falë inteligjencës artificiale, tanimë do të jetë e mundur të zhvillohen me shpejtësi barna dhe trajtimet mjekësore për të trajtuar një gamë të gjerë sëmundjesh.

5. Vaksina kundër sëmundjes së Malaries
Malaria vret çdo vit mbi 600.000 njerëz, shumica prej tyre fëmijë deri në moshën 5 vjeçare. Muajt e fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar një vaksinë, e cila pasi të miratohet në shkallë të gjerë mund të shpëtojë dhjetëra mijëra jetë. Ajo është vaksina e parë e krijuar ndonjëherë për t`u mbrojtur kundër sëmundjeve të shkaktuara nga një parazit (gjinia Plasmodium) që transmetohet nga mushkonja të gjinisë Anofele.

6. Ndryshim i protokollit të sigurisë për kriptomonedhat për të kursyer energjinë elektrike
Bitcoin, Ethereum dhe të gjitha kriptomonedhat e tjera kanë një problem të përbashkët: protokolli i përdorur për të garantuar veçantinë e transaksioneve do shumë energji, pasi kërkon një sasi të madhe fuqie llogaritëse. Ky protokoll quhet Prova e Punës (PoW). Në vitin 2011, një përdorues i forumit Bitcointalk propozoi një protokoll alternativ të quajtur Prova e Aksionit (PoS), po aq i sigurt sa PoW, por më pak kërkues për sa i përket rrymës elektrike.

Pas 11 vitesh testimi dhe verifikimi, PoS mund të zëvendësojë shumë shpejti zyrtarisht PoW. Për shembull Ethereum, planifikon t’i zhvendosë të gjitha transaksionet e tij në këtë protokoll deri në fund të këtij viti, duke reduktuar me 99.95 për qind konsumin e energjisë për mirëmbajtjen e kriptomonedhës.

7. Pilula anti–Covid
Disa muaj më parë kompania Pfizer njoftoi krijimin e një pilule anti–Covid që mund të luftojë efektet e gati të gjitha varianteve të njohura të virusit, madje edhe atyre më të reja. Kompani të tjera po ndjekin të njëjtën rrugë, këto barna, së bashku me vaksinat, efektiviteti i të cilave është demonstruar gjerësisht, do të japin një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër kësaj sëmundje.

8. Reaktorët e shkrirjes
Në rast se do të ruhet premisat e testeve të fundit, reaktorët e shkrirjes do të japin shtytjen përfundimtare drejt pavarësisë së energjisë nga burimet fosile dhe ato ndotësi të atmosferës.

Një nga projektet e para komerciale mund të zbatohet rreth vitit 2030 në Angli, ku kompania kanadeze “General Fusion” dëshiron të instalojë sistemin e saj të parë të izolimit magnetik.

9. Të dhënat artificiale
Që të funksionojë, çdo sistem i inteligjencës artificiale ka nevojë për një sasi të madhe të dhënash mbi të cilat mund të trajnohet. Në shumë fusha, pasja e të dhënave cilësore, si për shembull ato që nuk ndikohen nga paragjykimet njohëse, ose që mblidhen në respekt të plotë të privatësisë, është shumë e vështirë.

Për këtë arsye, disa kompani po zhvillojnë koleksione të mëdha të dhënash artificiale, të ndërtuara ad hoc, në shumë raste me ndihmën e sistemeve të tjera të Inteligjencës Artificiale, për trajnimin e sistemeve të makinerive.

10. Impiantet për zhvendosjen e CO2
Reduktimi i emetimeve të CO2 në atmosferë mund të mos mjaftojë për të shmangur katastrofën klimatike. Për këtë arsye, disa kompani po zhvillojnë impiante të mëdha, që do të jenë të afta të kapin në mënyrë aktive CO2 e pranishëm në atmosferë dhe ta eliminojnë atë duke e kthyer në kimikate të tjera të dobishme. Më i madhi nga këto impiante u ndërtua së fundmi në Islandë dhe vlerësohet se largon nga atmosfera mbi 4000 ton CO2 në vit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb