Miqtë e kanë përcjellë të përlotur Lume Blloshmin. Artistja avangardë u nda nga jeta për shkak të Covid 19 duke lënë pas një trashëgimi të veçantë artistike. Lume Blloshmit, piktores së pakohë dhe të gjithkohshme që u nda nga jeta të premten për shkak të Covid 19, iu dha lamtumira e fundit këtë të shtunë, në anë të ish Lidhjes së shkrimtareve. i pari që mbërrin pranë arkëmortit, pothuaj i përlotur, është Muntaz Dhrami, ish pedagogu i saj që dëshmon ambiguitetin e artistes e njeriut.

“Lumja i transmetoi brengat në vepra” – thotë Muntaz Dhrami. Ndërsa Merita Selimi thekson mes lotëve se Lumja i nxiste artistët e rinj dhe provokonte.

Pinjolle e Blloshmëve të njohur, që u persketuuan gjatë nga regjimi komunist, ajo u rrit jetime dhe vuajti gjithë jetën, pos humbjes së babait, edhe damkën e një njolle në biografi që rrezikoi ta linte pa shkolle derisa nje letër drejtuar Nexhmije Hoxhës do t’i hapte udhë.

Shkrimtari Rudi Erebara, mik i nipit të saj Ervin Blloshmit tregon se Lumes, “Babain ia pushkatuan më 1944 dhe Lumja e pati të vështirë”. Veçse dy muajsh kur babai major u ekzekutua, shumëçka për Lumen do ishte 3 vështirë.

Dhrami nga ana tjetër veçon se “Lumja i përballoi me sukses, ishte e fisnike. Nuk merrej ajo me cikerrima”.

Një vajzë me baba të pushkatuar, krejt ne moshë të njomë , meningiti do i merrte dëgjimin dhe aftësinë për të artikuluar. Megjithatë, ajo do të gjente forcën për të bërë emër duke sfiduar pengjet e pengesat, si edhe maskilizmin e ambjenteve artistike.

Erebara kujdeset të vërë në dukje se “talenti i saj ishte i pazakonshëm. Ajo ishte artistja grua që barazohej e tejkalonte ata burra që ishin Etërit e artit shqiptar”.

Edhe ish profesori i saj, e ngre lart veprimtarinë e  artistike, duke pohuar veçantitë e Lume Blloshmit.

Dhrami thotë se Lums Blloshmi sfidoi kanonet e artit, ajo këtë e arriti duke lënë mënjanë shkollën tonë.

Duke sfiduar artin shqiptar të 90-ës, që akoma endej mes kornizave të realizmit socilaist, ajo lëvroi instalacionin e performcën, duke provokuar me tematikat e konceptet dhe duke i dhuruar skenës artisatike, vepra që mund të gjendeshin në skenën ndërkombëtare.

Ikja e saj në moshën 76 vjeçare është megjithatë e parakohshme. Janë të shumta projektet që la ne mes me kolege të ndryshëm e në zhanre të ndryshme.

Milena Selimi, nga COD, tregon se ka folur me të për ekspozitë retrospektive.

Ndërsa Merita Selimi flet një projekt të Blloshmit me Galerinë Kombëtare të Arteve.

Nipi i saj, Edi Blloshmi, balerin në Lion ka ardhur nga Franza për të përcjellë hallën, gruan që e deshi aq fort dhe artisten që i mësoi aq shumë. Janë po nipërit, djemtë e vëllait me të cilin Lumja u rrit, qe do kujdesen për trashëgiminë e saj.

Lumja, gruaja me sytë shprehës e me mendjen tronditëse do të mbetet e pasfidueshme në ngjyrat që shihte e përcillte, në guximin dhe kurajon për të thyer tabutë e për të shpalosur unin njerëzor.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb