Gazeta Panorama.al publikon sot në numrin e radhës ditarin e rrallë ish-shefit të Sigurimit të Bllokut, Gani Kodra, njeriu më i afërt i Mehmet Shehut, i dënuar pas vdekjes së tij, si pjesë e organizatës kundërrevolucionare që donte të eliminonte Enver Hoxhën.

Vijon nga numri i kaluar

Në botimin e kaluar (Lexo këtu), Gazeta Panorama.al publikoi përplasjen e fortë të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Habziu me mikun e tij të ngushtë, Mihallaq Ziccishti, ky i fundit mbante asokohe postin e zv.ministrit të Brendshëm.

Kadri Habziu e ka quajtur Mihallaq Ziçishtin si “k*rvë e vjetër” që po shpifte kundër tij për të shpëtuar kokën.

Por në pjesë që botohet sot, ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu i përgjigjet një për një akuzave se u përdor mbledhja e partisë së Tiranës për të goditur me kritika të forta Enver Hoxhën. Ish-ministri i Brendshëm ka hedhur poshtë pretendimet për mbledhjen sekret në shtëpinë e Mehmet Shehut.

Por Kadri Hazbiu në gjyq është përballur dhe me një akuzë të re, për lidhje me bandën e Xhevdet Mustafës e cila kishte ardhur për ti dhënë mesazh Mehmet Shehut pas dekonspirimit të tij si agjent i amerikanëve, ai duhet të vriste veten dhe t’ia kalonte detyrat ish-ministrit të Brendshëm.

KADRI HAZBIU VAZHDON SULMIN MBI MIHALLAQ ZIÇISHTIN PËR AKUZËN MBI KONFERENCËN E TIRANËS

Gani Kodra Ish Shefi I Sigurimit Byroja Ditari Gazeta Panorama2
Gani Kodra Ish Shefi I Sigurimit Byroja Ditari Gazeta Panorama2

GANI KODRA: Pasi ka folur gjatë kundër Nesti Kerenxhit, aq sa në dy raste e ka ofenduar, Kadri Hazbiu u mor hollësisht me të gjitha akuzat që kishte nisur në drejtim të tij Mihallaq Ziçishti. Ndërmjet të tjerash, ai u ndal në atë çka Ziçishti tha kundër Hazbiut për skenarin e konferencës së Tiranës.

“Leximi apo deponimi i Mihallaqit mbi organizimin dhe zhvillimin e punimeve të konferencës së partisë së Tiranës në vitin 1956 ishte një trillim me një fantazi për t’u pasur zili” tha Kadri Hazbiu. Më tej ai vazhdoi për të rrëzuar akuzën dhe pretendimin e Mihallaqit, të cilit i ishte servirur nga hetuesit: Sipas Mihallaqit, kjo konferencë qenka përgatitur dhe organizuar nga ne, si Mehmet Shehu, Beqir Balluku si i deleguar në konferencë, Kadri Hazbiu, Fiqrete Shehu, që ishte sekretare e parë e Komitetit të Partisë të rrethit, Mihallaq Ziçishti dhe Feçor Shehu që ishte drejtor i punëve të brendshme të Tiranës.

Gjithmonë, sipas Mihallaqit, duke përfituar nga mungesa e Enver Hoxhës që ishte me pushime në Vlorë, ne paskemi punuar me njerëzit për t’i nxitur ata që në diskutimet e tyre të flisnin kundër vijës së partisë dhe udhëheqjes së saj. Si të gjitha akuzat, edhe kjo është një sajesë e poshtër e Mihallaqit. Këtu ka vetëm një të vërtetë që ne ishim të pranishëm në konferencë, ashtu si gjithë Byroja Politike, me përjashtim vetëm të Enver Hoxhës. Është e vërtetë se shumë persona nga delegatët morën fjalën dhe diskutuan për shumë probleme.

U ngrit problemi i kultit të individit se përse nuk diskutohet në partinë tonë. U ngrit pretendimi se klasa udhëheqëse po borgjezohet. Se njerëzit e asaj klase jetojnë me bollëk, përdorin makina luksoze etj në një kohë kur populli ishte keq ekonomikisht. Përveç këtyre, pati debate të ashpra për shumë probleme. Beqar Balluku, që ishte i deleguari i Byrosë Politike, i lejoi njerëzit të diskutonin lirisht duke iu dhënë përgjigje gjithsecilit prej tyre. Por është e vërtetë e padiskutueshme se ato diskutime nuk i organizuam ne, siç thotë Mihallaqi.

Njerëzit që diskutonin ishin njerëz të thjeshtë dhe ngrinin probleme që ata e quanin të drejtë të kërkonin zgjidhje, për faktin se goditnin të metat që ishin vënë re në vijën e partisë. Këto diskutime u cilësuan nga sekretari i parë i partisë, që erdhi me shpejtësi nga Vlora, si veprime armiqësore që kishin për qëllim rrëzimin e udhëheqjes së lartë të partisë dhe ishin të organizuara nga njerëz të zbulimeve të huaja, për të bërë atë që kishin bërë me vendet e demokracive popullore. Të bënin edhe në Shqipëri që të diskutohej për kultin e individit dhe nën pretekstin e kësaj të eliminonin udhëheqjen e shëndoshë të partisë dhe të vendosnin revizionizmin në Shqipëri.

*

Fantazia, trillimi ose poshtërsia e akuzave të bëra në procesin e Mihallaqit arrinin deri atje sa thuhet se ne, nga frika gjoja e ardhjes së sekretarit të parë nga Vlora dhe duke parë se konferenca e partisë nuk shkoi siç e kishim parashikuar ne, por dështoi, thuhet se u mblodhëm në shtëpinë e Mehmet Shehut për të diskutuar për masat që duhet të merrnim për të fshehur gjurmët tona në lidhje me organizimin e kësaj konference.

Kjo është një gënjeshtër që nuk qëndron askund. Ne jo vetëm që nuk jemi mbledhur fare, bile as në mënyrë individuale nuk kemi biseduar me njëri-tjetrin për mënyrën se si u zhvillua kjo konferencë, ose për diskutimet e zhvilluara. Këtu dua të shtoj edhe një gjë tjetër se të gjitha goditjet, dënimet etj., për ata njerëz që diskutuan në mënyrë të “dyshimtë” janë bërë me urdhër të sekretarit të parë, të piketuara nga ai vetë.

Prandaj të gjitha akuzat e sajuara në mënyrën me diletanteske për konferencën e partisë të Tiranës për vitin 1956, nuk janë gjë tjetër vetëm se qiqra në hell. Mua nuk më rëndojnë këto akuza të pandershme, të gënjeshtrave dhe të lexuara nga një njeri që nga frika pranon të thotë çdo gënjeshtër, mjafton që të shpëtojë kokën.

Xhevdet Mustafa1
Xhevdet Mustafa1

BANDA E XHEVDET MUSTAFËS, NJË HISTORI PËR TË NGRITUR AKUZA

Sipas Enver Hoxhës, të gjitha grupet armiqësore që kishin dalë në kulturë, ushtri, ekonomi etj.. kishte organizuar dhe drejtuar Mehmet Shehu. Për të vërtetuar këtë tezë të Enver Hoxhës u vazhdua më tej në akuzat ndaj Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut duke sajuar, paragjykuar dhe improvizuar histori dhe ngjarje të ndryshme. Një ndër to ishte ajo që bënte fjalë për lidhjen e ngjarjes së ardhjes së bandës së Xhevdet Mustafës dhe vdekjes së Mehmet Shehut. Për atë u aludua se ajo bandë erdhi pasi u kuptua nga zbulimi i huaj se Mehmet Shehu ishte zbuluar dhe demaskuar nga partia.

Qëllimi i krerëve të zbulimit të huaj nëpërmjet dërgimit të asaj bande, e cila u hodh diversionisht në Shqipëri, ishte që të merrnin direkt kontakt me Kadri Hazbiun, për t’i dorëzuar atij një mesazh për t’ia dhënë personalisht Mehmet Shehut. Sipas këtij mesazhi, ai duhej patjetër të vriste veten për të ruajtur të tjerët që të vazhdonin punën pas tij dhe kryesisht të ruante Kadri Hazbi un, i cili, sipas tyre, ishte kryesori.

*
Për të vërtetuar këtë akuzë ndaj Kadri Hazbiut dhe për ta nxjerrë atë si krahun e djathtë të Mehmet Shehut, si dhe për të skenuar mënyrën se si ky kishte dorëzuar mesazhin te Mehmeti, u përdorën shumë dëshmitarë, nga cilët më kryesorët ishin: të Ali Çenos i cili ishte shoqëruesi personal dhe komandant i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. Halit Barjami, pjesëtar i bandës së Xhevdet Mustafës, i cili kishte mbetur i gjallë i pa eliminuar gjatë ndjekjes që iu bë kësaj bande.

Kjo, sipas meje, kishte arsyet e veta për të mos e eliminuar. Për bandën e Xhevdet Mustafës do të flas më gjerë në një pikë të veçantë, me aq sa di unë, pasi ardhja e kësaj bande në këtë periudhë e ka pasur një qëllim shumë djallëzor, me një plan të menduar mirë nga Enver Hoxha dhe rrethi i tij kryesor. “Dëshmitarë”- të tjerë ishin shoferi personal i Kadriut, radisti dhe sekretarja e tij me bashkëshortin, të cilët lexonin deponimet që ua kishin shkruar hetuesit. Këta me paturpësinë më të madhe i lexonin këto gënjeshtra pa shmangur asnjë presje./ Panorama

VIJON NESER….

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb