TIRANE – Inva Mula është e ftuara e nderit në emisionin “Chic’ të Fjodora Fjorës në ‘News 24’. Në një intervistë ekskluzive sopranoja e njohur shqiptare tregon për festivalin e jashtëzakonshëm që pritet të startojë në qytetin e Korçës.

“Mik festival” ashtu siç dëshiron ta përkufizoj edhe ajo me fjalën mik. Muzika, arti, kultura do të shpaloset përgjatë datës 25 deri më 29 korrik në qytetin e bukur të Korçës. Do të jenë pesë net të mbushura me emocione, me ngjarje të ndryshme, të cilat do të përcjellin emra artistësh dhe një ndër to është dhe Tefta Tashko, e cila është personazhi që do t’i dedikohet mbrëmja e parë e këtij festivali.


“Mik festival” ku padyshim do të ketë shumë mbrëmje por gjithçka nis nga formula Inva Mula dhe miqtë
Ju do të thoni pse përse Korçën dhe kush është lidhja jote me të. Ma bëjnë shpesh këtë pyetje. Në fakt lidhjet ndodhin në jetë papritur, një dashuri e re, dashuria për qytetin, për kulturën, për traditën, dashuria për atë sqimën korçare, e cila duke qenë se nuk isha shumë e familjarizuar më befasoi një vit më parë kur lindi dhe ideja që ky qytet meriton vërtetë t’i kushtosh vëmendje. Ai meriton një festival sepse turizmi meriton diçka më shumë se kuzhina, meriton art dhe meriton një festival. Festivalet janë ato që e bëjnë qytetit të dalë nga rutina e zakonshme, të dalë në një platformë tjetër internacionale. Dhe prandaj quhet dhe MIK ‘Muzika Internacionale në Korçë” ku në të gjitha gjuhët e botës del me fjalën e bukur shqiptare, në një fjalë që përdoret shumë në Korçë dhe të gjithë jemi miq të përbashkët të arit, kulturës dhe vetë dashurisë njerëzore. Prandaj ka dalë shumë spontanisht ideja e “Mik festival” dhe jam e bindur që do jetë një festival që do të kalojë përtej kufijve të një Korçe lokaliste, shqiptare sepse do të jetë një Korçë internacionale. Pesë net të festivalit janë pesë net të ndryshme që do të sjellin një shumëllojshmëri në prezantime, në zhanre muzikore dhe do të jetë pesë net të bukura të rrethuara nga miqtë.
Janë pesë net që do të ndërtojnë hap pas hapi pesë atmosfera të ndryshme artistike dhe pesë kultura të ndryshme sepse do të kemi një mbrëmje vjeneze, një mbrëmje franceze, do të kemi një “Inva Mula and friends”, një mbrëmje të serenatave korçare pra si u ndërtua ky pazëll për të pasur këto lloj pjesëmarrjesh.
Do të ishte gjë e bukur sikur të shndërrohej në traditë, sepse ajo bën një zinxhir që nuk duhet të shkëputet por të pasohet dhe duhet marr shembull nga të gjitha traditat që janë krijuar më përpara kudo në botë. Dhe unë jam e familjarizuar në botë, jam pjesë e tyre. Në gusht do të shkoj në një festival shumë të rëndësishëm në Itali pra e di se si funksionon dhe e di që publiku e kërkon. Nëse ka një përqasje të bukur në Mik Festival edicioni i parë jam e bindur që ai do të jetoj me mendimin që do të rikthehet vitin që vjen. Unë kam folur me miqtë e mi në Paris dhe më kanë thënë që do të vijnë në Korçë për festivali. Do të jetë një ndërthurje e një publiku që vjen edhe për kuriozitet se si mund të ndërtohet në një qytet të tillë një festival internacional prandaj pazëlli u krijua shumë natyrshëm, nuk u sforcuam fare. Gjithçka nis me një artiste të madhe korçare sic është Tefta Tashko-Koço. Dhe unë si artiste jam e ndjeshme për respektin që duhet të kemi karshi këtyre figurave të mëdha të kombit, të cilat jetuan në një kohë kur nuk kishte asnjë vëmendje për artin shqiptar dhe ne ta rikthejmë. Kjo përkon dhe me 100 vjetorin e lindjes së artistes së madhe.
E kuptuam arsyen sepse keni zgjedhur Tefta Tashko-Koçon sepse 100-vjetori i saj është një ngjarje shumë e rëndësishme për të gjithë ata që duan muzikën shqiptare. Mbrëmjet e tjera do të jenë një franceze, e cila do të shoqërohet edhe një kuzhinë franceze, për të vazhduar më pas vjenezë, kulmojmë me “Inva Mula and friends” pastaj nata e fundit i përket serenatave korçare
Duke qenë se në 5 netët e festivalit kemi dy net, që do t’i dedikohen dy kulturave të mëdha si asaj franceze dhe austriake nuk janë pa qëllim. Ne kemi shembujt më të mirë nga këto kultura të vendeve të fuqishme që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin artit. Dhe reflektimi i artistëve shqiptar që shkojnë në gjurmët e këtyre kulturave dhe që janë rritur me to, që studiojnë në këto shtete është shumë e bukur.
Fakt është që në trion franceze janë dy vajza me orgjinë shqiptare, që e zhvillojnë karrierën e tyre në Francë. Apo të sjellim rastin e koncertit vjenez e cila shoqërohet nga orkestra e radiotelevizionit por të tre artistët vijnë nga Vjena prandaj është një ndërthurje shumë e bukur. Dhe nëse ky festival do të ketë jetëgjatësi unë do të mendoja që si strukturë të qëndronte e njëjta dhe dy mbrëmjet internacionale vitin që vjen mund të jenë italiane dhe spanjolle apo të shteteve të tjera dhe të ndërthurim ato me kulturat tona.
Kemi dhe “Inva Mula and friends”, ti në fakt në mënyrë sporadike herë pas here në kohë të ndryshme ke qenë e pranishme si psh në Butrint ke qenë e pranishme me këtë performancë tënden.
Po jam së bashku me Olen Çezarin, Genc Tukiçin është Marina Grabollari janë edhe disa të rinj që kanë pjesë e spektaklit që unë kam krijuar me të ta. Mbrëmja shoqërohet nga orkestra e radiotelevizionit, dirigjente është Suzana Truku. Por kemi edhe një risi në lidhje me bashkëpunimin, ne skenë kemi edhe korin “Lira” me mandolinat e tyre. Domethënë do të jetë diçka shumë e bukur. Është një ndërthurje shumë e bukur mes muzikës lirike, artit klasik por jo 100% atij që bëjmë në skenë.
Nuk të shqetëson që do të vish tani më çdo vit me një formulë Inva Mula?
Jo nuk do të thotë që unë do të vazhdoj “Inva and friends” në Korcë, mund të jetë një tjetër artiste “me shokët” e saj. Por ky festival do të lërë gjurmë.
Ti ke qenë gjithmonë kryesisht e ftuar në rolin e interpretues, merr për herë të parë organizmin e një festivali nën patronazhin tënd. Artistikisht je mësuar të ngjitesh në skenë por nga ana organizative a po lodhesh?
Jo nga ana organizative jo se i kam pasur eksperiencat, duke qenë edhe si regjisore kam në memorje cdo lëvizje. Besoj se më intrigon më shumë pjesa jashtë skenës sesa brenda skenës. Në këtë etapë të karrierës dhe jetës sime më apasionon më shumë pjesa për të ideuar një spektakël jo vetëm për të qenë pjesë e tjetërkujt por të jetë ideja ime.
Edhe djali jot do të jetë prezent pra do të vij nga Franca
Ai tashmë është rritur, është bërë profesionist, punon me një agjenci franceze të muzikës elektronike shumë serioze pariziane dhe duke qenë një djalë parizian, që ka lindur e punon atje do të doja që në Korçë (Parisi i vogël) të performonte ai. Dhe kjo është hera e parë që ai performon në Shqipëri.
Ju jeni një familje thellësisht e lidhur me muzikës klasike dhe ai i është drejtuar një zhanri krejtësisht ndryshe nga ju. Ju habit ky fakt që nuk zgjodhi hapat tuaja në pjesët e muzikës klasike.
Më bënte përshtypje më përpara por tani jam më se e lumtur që ai zgjodhi diçka që e kishte me pasion që i pëlqente që i erdhi spontanisht. Nuk do ta sforcoja në asnjë moment të bënte atë që doja unë.

Ke bërë pak pushime dhe menjëherë ke nisur punën për festivalin, si ia del me vajzën, e cila është ende e vogël dhe ka nevojë për ty
Kjo është pjesa më e vështirë për ta menaxhuar sepse fëmija ka nevojë për prindërit por për nënën më shumë. Vajza çdo ditë më thotë ‘Mami më premton që sot ke filluar pushimet. Po kam filluar i them por kam dhe këtë gjë për të bërë. Domethënë mundohem që ajo të më kuptojë por është e vështirë.
Ti je prezente dhe po jeton në Shqipëri, je vendosur përfundimisht?
Jo nuk kam pasur asnjëherë pikë qëndrimi për arsye se e gjithë karriera ka qenë me një valixhe në dorë. Një vend vetëm ka qenë kur unë ndërroja valixhet dhe ka qenë Parisi. Nga disa rrethana familjare bënë që unë të shijoj Tiranën, kam një vit që po qëndroj këtu dhe nuk kam programuar asgjë. Ndoshta nesër do të shkoj diku tjetër nuk programoj asgjë asnjëherë. Për momentin jam këtu dhe jetoj me momentin.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: