Lefter Koka ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me vendimin e tij për të mos dorëzuar mandatin e deputetit, si përfaqësues i LSI-së. I ftuar në emisionin “Real Story” në ‘News24’ Koka pohoi se koha tregoi se LSI mori një vendim të gabuar, ndërsa ai kishte vendosur me shumë qetësi.

Lefter Koka u ndal dhe tek marrëdhënia e tij me presidentin Ilir Meta, dikur kreu i LSI-së.

“Lënia e mandatit hynte tek vendimet e mia të rëndësishme, për shkak të raportorëve njerëzore me disa eksponentë të LSI dhe drejtuesit e saj. Por e dija se vendimi i marrë ishte i gabuar. Faktet sot po e tregojnë. Mendova se duke pasur këtë eksperiencë, dhe duke menduar se nuk përfaqësoj vetëm veten por një komunitet, mora një vendim në situatë të qetë dhe jo të tensionuar.”, tha ai.

Teksa vlerësoi figurën dhe kontributin e Metës në politikë, Koka nuk preferoi që të fliste për votën në lidhje me momentin kur do duhej të votonte për shkarkimin e presidentit, për të cilin është ngritur dhe një Komision Hetimor.

“Besoj që nuk ka lënë shije të mirë ndoshta vendimi im, i cili përkonte jo me vendimin e grupit. Nuk mendoj se mos të gëzojmë për njëri-tjetrin të njëjtin mendim. Kemi ndarë vite dhe sfida së bashku dhe s’mund të na ndryshojnë mendimet për njëri-tjetrin. Sakrificën që nuk u bëra ministër, për faktin se ishte në qeveri Berisha, e kam bërë për Ilir Metën. Nuk kam as dëshirën që të gjykoj për vendimet e presidentit. Sigurisht që e konsideroj Metën një aset politik me interes në këtë vend. Nëse është në vendimet e drejta, është pozitiv për vendin. Ishim pjesë e një aleance me PS, dhe vet kjo forcë e propozoi emrin e Metës si president. Ndikoi në rezultatin e LSI me largimin e Metës. Ishte zgjedhja e tij dhe besoj se gjeti konsensusin e aleancës. Nuk dëshiroj të jap një mendim për këtë (Votimi për shkarkimin e Metës). Uroj që konfliktet të gjenin zgjidhjen ligjore. Në këtë 1 vit e disa muaj unë s’përfaqësoj asnjë grup politik. Jeta ime ka qenë më pasive sa i takon faktit se s’jam përfaqësues i asnjë partie.”,- tha ai.

Po ashtu, Koka u ndal dhe tek fakti se sot Durrësi nuk ka një kryebashkiak, ndërsa e cilësoi situatën alarmantë dhe të paprecedentë.

“Kjo është situatë e rëndë që Durrësi nuk ka kryetar të zgjedhur. Drejtohet nga nënkryetar. Është rast i paprecedent. Ka ligje të pushtetit vendor që s’mund t’i kryejnë të gjitha funksionet. Kryetarët e bashkive kanë një kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Durrësi është në situatë kaotike. Nuk mendoj se mund të jetë Vangjush Dako, por ndoshta një personazh tjetër. PS është forcë e madhe dhe mes tyre mund të ketë individë të tjerë. Dako është nën akuzë, në ato gracka mund të bjerë çdo politikan. Shqipëria është shumë e vogël. LSI është një forcë e re politike dhe ka të tjera objektive. Nëse unë jam larguar legalisht, kjo dhe të tjerë që mund të kenë qenë dhe të tjerë shumë indiferent.”, pohoi deputeti.

Mes të tjerash gazetari Sokol Balla e pyeti Kokën nëse e sheh si mundësi afrimin e së majtës, (PS-LSI), ndërsa ai kujtoi shprehjen e kryeministrit Edi Rama ‘Kurrë mos thuaj kurrë -Mai dire mai’.
“Kryeministri para pak ditësh tha; Mai dire mai. Janë drejtuesit e partive që vendosin këto gjëra.”, pohoi ai.

Lefter Koka e mbylli intervistën e tij duke theksuar se shpreson që të gjendet një zgjidhje për reformën në drejtësi.

“Do dëshiroja shumë që të miratohej në Kuvend reforma. Më duket absurde që ky komitet diskuton. I kanë ngelur që të ndajnë dhe numrin e komisionerëve. Koalicionet i zgjidhën. Tani ngelet në fund që kush do humbas. Para nuk bëjmë asgjë, mbrapa kemi shumë për të thënë. E rëndësishme është që një gjë apo dy, duhen bërë. Nëse s’bëjmë asgjë sot, do kemi kaq probleme zgjedhjet e ardhshme. Do kemi kontestime prapë. Lindin këto problematika, për t’i thënë elektoratit të tyre; që s’kemi ne faj, e ka fajin sistemi.”,- përfundoi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: