Reshje shiu gjysmën e parë të javës dhe temperatura të ulëta e borë në pjesën e dytë, pas të premtes.

Sinoptikania Lajda Porja ka folur në News24 për situatën meteorologjike dhe motin që pritet të jetë këtë javë.

“Deri në mbrëmje reshjet do të jenë me intensitet të ulët. Problematike do të jenë gjatë natës, pas orës 10 të mbrëmjes, e gjithë dita e martë do të sjellë intensifikim të reshjeve pothuajse në të gjithë territorin shqiptar ku sërish epiqendra dhe problematike mbetet një pjesë e mirë e Ultësirës Perëndimore, zona e Shkodrës dhe e Mbishkodrës, e cila do të marrë një sasi nga 100-120 mm shi përgjatë këtyre ditëve.
Vranësirat dhe reshjet do të jenë prezente gjatë gjithë javës. Nga e hëna deri ditën e mërkurë dhe të enjtë do të kemi kryesisht shira, temperatura të larta. Pjesa e dytë e javës e premtja dhe e fundjava do të sjellë reshje të dëborës për shkak se do të ketë rënie të ndjeshme të temperaturave duke bërë që zonat lindore sidomos, verilindja dhe një pjesë e juglindjes të ketë reshje të konsiderueshme të dëborës”, tha Porja.

Sipas saj, gjysma e javës rrezikohet nga përmbytje të shumë zonave në Ultësirën Perëndimore, ndërsa në pjesën e dytë kryesisht do të jenë temperaturat e ulëta, ngricat dhe bllokime nga dëbora e dendur sidomos zona e veriut dhe verilindja.

“Reshjet e borës kryesisht në rrethina në zonat malore në veri dhe verilindje, por do kemi mundësi të shikojmë dëborën në malin e Dajtit.
Po kështu problematike do jenë në pjesën e parë të javës stuhitë e forta të erës. Gjatë të martës dhe të mërkurës do jetë problem shiu intensive dhe era e fortë. Madje do ketë momente që era do arrijë shpejtësinë 80-100 km orë, më shumë në Vlorë.
Deri të dielën nuk presim ditë që të jenë 24 orë me diell. Dielli do të vijë pas ditës së diel, ditë të ftohta, por pa reshje”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: