Gjykata Kushtetuese publikoi në orët e vona të së mërkurës vendimin për Presidentin Ilir Meta. Kushtetuesja, rrëzoi kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit, duke argumentuar mes rreshtash se Presidenti nuk ka kryer shkelje të rënda Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Kushtetuesja i cilësoi si legjitime hapat e ndjekura nga Kuvendi për shkarkimin e Metës, duke hedhur poshtë pretendimet e përfaqësuesve ligjorë të Presidencës, që nuk janë respektuar aktet e duhura ligjore.

Lidhur me këtë tematikë, gazetarja Klodiana Lala tha:

“Vendimi është dhënë në një moment aspak precedent, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur orët e mbrëmjes për të shpallur vendimin për Presidentin Meta në betejën e mazhorancës me të. Kuvendi votoi me 104 vota pro shkarkimin, duke argumentuar se ai ka shkelur rëndë Kushtetutën gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Pra kjo ka ndodhur nga parlamenti i mëparshëm që është konsideruar ilegjitim nga Meta. Ky vendim që të merrte fuqi ligjore duhej të konfirmohej nga Kushtetuesja. Tashmë është fakt që GJK ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Kuvendit duke mos shkarkuar Presidentin dhe ka dhënë disa arsyetime. Ky vendim është i një natyre të rrallë për aq kohë se nuk ka pasur çështje të ngjashme në Kushtetuese. Kushtetuesja thotë që nuk ka shkelje të rëndë të Kushtetutës. Në fakt mazhoranca pretendonte në vendimin e saj se Presidenti i Republikës kishte shkelur rëndë Kushtetutën për aq kohë sa kishte bërë deklarata për fushatën e 25 prillit. Sipas mazhorancës ai ishte treguar i njëanshëm dhe ishte person partiak. Janë shprehje ku Presidenti i kërkonte qytetarëve për të prehur sfurqet dhe do i presë dorën e atyre që do prekin votën. Konkretisht sipas mazhorancës ata pretendonin që Meta kishte shkelur rëndë Kushtetutën sepse kishte pasur sulme ndaj partnerëve strategjikë dhe jepnin raste konkrete të këtyre debateve. Sipas GJK edhe kjo nuk konsiderohet shkelje e rëndë e Kushtetutës. Që vendimi i Kuvendit të merrte vlerë e që zoti Meta të linte postin, duhej që Kushtetuesja të konfirmonte shkeljet dhe të provonte akuzat e Kuvendit”.

Gazetarja ka shpjeguar më tej, se Kushtetuesja i ka cilësuar si legjitime hapat e ndjekura nga Kuvendi për shkarkim.

“Ka pasur një debat të ashpër sa i përket procedurave të ndjekura nga Kuvendi, për shkarkimin e detyrës për Metën. Ky debat shkoi sa Meta iu drejtua Prokurorisë për Kuvendin që sipas tij janë falsifikuar akte. Pavarësisht debateve të forta në GJK, ku së pari duhet theksuar se përfaqësuesit ligjor të Metës pretendonin se Kuvendi ka vepruar në shkelje për sa kohë që kishin ngritur një komision hetimor në 4 muajt e fundit të punimeve të saj. Më pas kishte të bënte me datën e caktimit, ku ishte vendosur për t’u votuar vendimi i Komisionit Hetimor. Seanca ishte caktuar në datën 7 dhe pretendohej se aktet kishin data të ndryshme dhe nuk dihej qëndrimi i komisionit. GJK deklaron se pasi ka verifikuar ngritjen e Komisionit Hetimor, në tërësi konstatoi që s’ka pasur shkelje Kushtetuese gjatë kësaj procedura. Vetë Presidenti i Republikës nuk u paraqit në këto seanca. Rreth 50 pyetje iu paraqitën përfaqësuesve të Kuvendit, përgjigjet u depozituan jo vetëm në seancë, por nga ana tjetër u theksuan edhe me shkrim. Në mesin e pyetjeve, kishte interesa nga GJK nga natyra të ndryshme. A kishte kërkuar vetë Meta për të dalë në studio televizive, përse nuk u paraqit në komisionin hetimor parlamentar, ishin një sërë pyetjesh që në thelb kishin një pikë: A kishte shkelur Meta Kushtetutën? GJK thotë se Meta nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe legjitimon procedurat e Kuvendit për shkarkimin e Metës”, tha Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb