Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur fituesit e çmimeve “Fake News” të vendosura prej tij, me gazetën amerikane “The New York Times” në krye të listës.

Përmes një postimi në Twitter, Trump veçoi gazetarin e ‘New York Times’, Paul Krugman, i cili në një artikull kishte shkruar se presidenca e Donald Trump do të shkaktojë dëme të rënda në ekonominë e SHBA-së, e cila në fakt është përmirësuar nën udhëheqjen e tij.

Ai gjithashtu sulmoi gazetarin e ABC News, Brian Ross, i cili gabimisht raportoi se Trump kishte udhëzuar ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Michael Flynn të krijonte kontakte me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016. Ross u pezullua nga ABC News dhe më vonë u transferua në një detyrë tjetër pas raportimit të lajmit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu theksoi një artikull të korrigjuar të revistës ‘Time’ në të cilin shkruhej se Trump kishte lëvizur një bust të Martin Luther King Jr nga Zyra Ovale.

Një numër shkrimesh nga CNN gjithashtu përmenden në listën e tij. Trump kishte njoftuar se do shpallte “çmimet për mediat më të korruptuara dhe të pandershme të vitit” më 8 janar por pastaj e shtyu për datën 17 janar.

Trump vazhdimisht ka sulmuar gazetën ‘The New York Times’ të cilën e quan ‘dështim’ pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën. Ai gjithashtu rregullisht kritikon rrjetin CNN.

LISTËN E LAJMEVE TË RREME MUND TA GJENI KETU

(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb