TIRANE

Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi lidhur me deklaratat e sotme të kreut te KED-së, Ardian Dvorani i cili i quajti filma me metrazh të shkurtër apo të gjatë videot e paralajmëruara nga kreu i shtetit.

“Nga një dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre, nuk presim asnjë reflektim publik.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organin e akuzës për të vendosur drejtësinë në vend.
Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent për opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, për të ndaluar kapjen totale të institucioneve të drejtësisë, përmes kapjes së Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.” thuhet ne njoftimin shperndare  mediave.

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani u paraqit sot në prokurorinë e Tiranës ku për më shumë se dy orë dha dëshminë e tij në lidhje me kallëzimin e Kreut të Shtetit. Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paditur Dvoranin për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘përvetësim të kompetencave’ në rastin e emërimeve për Gjykatën Kushtetuese. Në një prononcim për mediat Dvorani tha se personat që kanë përgjegjësi kushtetuese dhe publike duhet të mos merren me filma me metrazh të shkurtër apo të gjatë, por t’i dërgojnë ato në prokurori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb