Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti u trajtua historia e Fatmir Lalës, 48-vjeçari i divorcuar, i cili bëri apel për të takuar dy fëmijët e mitur, të cilët sipas tij, mbahen peng nga ish-bashkëshortja.

Fatmir Lala: Unë jam njohur me bashkëshorten nëpërmjet shkuesit. Shkuesi ishte një punëtor që punonte te shtëpia ime në ndërtim. Ai duke u familjarizuar me familjen time më pohoi që a dëshiron të të njoh me një vajzë të mirë! Kështu ndodhi prezantimi midis nesh nëpërmjet familjarëve tanë, u takuam dhe ramë dakord që të njiheshim dhe të krijonim martesë me njëri-tjetrin. Pas martesës erdhën dy fëmijë në jetë që sot janë 13 dhe 5 vjeç. Mirëpo para 5 vitesh martesa jonë nuk funksiononte, ajo nuk më pyeste për asgjë dhe unë krijoja probleme, pasi e pyesja dhe i kërkoja të më jepte shpjegim që pse vepronte kështu.

Pasi kishin filluar problematikat unë një ditë i thashë që pse i ke hedhur kripë shumë gjellës, ajo shkoi dhe bëri kallëzim dhe kërkoi urdhër mbrojtje ndaj meje. Unë u detyrova të qëndroj larg familjes, por erdhi dhe divorci dhe sot unë ndodhem rrugëve, fle në makinë se ajo më ka dëbuar nga banesa. Vajza e vogël nuk më njeh për baba, sepse kur jemi divorcuar ajo ishte e vogël shumë dhe sot fëmijët mbahen larg meje prej saj. Unë jam në rrugë, fle në makinë, nuk më lejon të hyj apo të jetoj në banesë, edhe pse unë e kam ndërtuar vet atë shtëpi. Kërkoj të takoj fëmijët dhe të kthehem të jetoj në banesën time.

Motra e Fatmirit: Unë e kam takuar nipin 13 vjeç rastësisht tek gjendja civile, aty ishte bashkë me nënën e vet. U afrova për t’i dhënë djalit një dhuratë, ato pak lekë që më ndodheshin. Mirëpo nëna e tërhoqi për dore dhe djali më tha “o halla mami nuk më lë ta takoj babin dhe nuk do asnjë”. Vëllai im jeton rrugëve te ura e tabakëve e njeh gjithë zona aty. Ish-bashkëshortja e vëllait tim e ka gjetur atë shtëpi, nuk ka investuar asnjë lekë, ajo nuk ka të drejtë ta dëbojë vëllain nga shtëpia, sepse atë shtëpi e ka ndërtuar vëllai im. Ajo nuk ka pranuar të shkojmë ta takojmë as atë, as fëmijët, ne po shkuam atje hamë dajak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb