Nga “parajsa në ferr”, nga një fitore e madhe tensitike përballë Dinamos, në një humbje që ul me këmbë në tokë Vllazninë. Nuk ka vend për shprehjen e famshme shkodrane, “mos të hytë vetja në qejf”, një ekip me kaq shumë traditë nuk mund t’ia lejojë vetes një moment të tillë vetëkënaqësie, por brenda pak ditësh ekipi i Brdaric shfaq dy anët e medaljes. Suksesi përballë dinamovitëve, për më tepër në atë formë, me një futboll shumë ofenisiv, e bënte Vllazninë të frikshme në dukje, një ekip vështirë për tu ndalur por ja që Kukësi, jo vetëm që i ndali por arriti ti marrë me meritë 3 pikët pas një fitore të pastër 2-0.

Shkodranët vijojnë sezonin me ulje ngritje, kjo ishte një humbje që duhet ti shërbejë shumë për të ardhmen, në futboll shpesh nuk mjafton vetëm të sulmosh. Në 6 javë kampionat, Vllaznia ka pësuar 10 gola, nuk është shumë e vështirë për të kuptuar se ku çalon ky ekip këtë sezon.

Trajneri Brdaric pranoi se kjo është një humbje që djeg jo pak, është humbja e parë që kundërshtari e mposht në lojë dhe rezultat. Pavarësish disfatës, tekniku gjerman sheh anën pozitive, kjo është një ndeshje ku duhet të nxjerrin mësime teksa premton kthesën që në javën e ardhshme, ku presin Tiranën në klasiken e futbollit shqiptar. Për këtë sfidë, Brdaric duhet të bëjë llogarinë pa kapitenin Gurishta i cili ka plotësuar numrin e kartonëve, gjithashtu edhe pa shërbimet e Mustedanagiç, i ndëshkuar me karton të kuq.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: