Zbardhen detaje nga brenda mbledhjes që po zhvillon sot drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano me Drejtorët e Qarqeve.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se fokus i takimit është marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

“Thellimi i veprimeve hetimore, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Intensifikimi i kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, kontrolle në varreza makinash e servise makinash ku mbahen të fshehura apo çohen makinat e vjedhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.

Parandalimi i aksidenteve rrugore, duke intensifikuar kontrollet me makinën inteligjente, me radarët, mjete e paloguara, ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, duke filluar menjëherë edhe me këmbësorët që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.”, janë disa nga masat e parashtruara nga drejtori i policisë.

Po ashtu mësohet se sot fillojnë në terren 443 kursanët e rinj, për të cilët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtorët vendorë, që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë për të kontribuuar sadopak në përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit.

Gjatë muajit janar, në të gjitha drejtoritë do të zhvillohen analizat vjetore dhe për këtë Drejtori ka kërkuar nga drejtuesit e tyre, që të nxirren problematikat, me qëllim marrjen e masave për t’i zgjidhur ato.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: