Golashënuesi më i mirë i Kombëtares Shqiptare, me 18 gola, Erion Bogdani, është i ftuar special i emisionit “EUROMANIA” të moderatores Enxhi Biba, në “News 24”.

I pranishëm në studio, Bogu bëri një analizë, për ndeshjet e luajtura në fazën e grupeve të EURO 2020, ku ndër të tjera u shpreh:

“Është një Europian ndryshe, me gola dhe raste të shumta. Më në fund po luhet me tifoza. Lojtarët që janë me emër, kur luajnë në praninë e tifozëve, japin maksimumin. Kemi parë CR7 që duket më aktiv në fushën e lojës në krahasim me Juventusin.

Më pëlqen dhe simpatizoj Italinë. Në drejtimin e trajnerit Mançini është duke zhvilluar lojëra të bukira. Nuk pëson gol, më ka entuziazmuar për ndryshimin e lojës që bën. Për mendimin tim, kryesorja te Italia është mesfusha. Luajnë mirë me topin, më pëlqen loja sulmuese.

Emocionet më të mëdhaja janë me fanellën e ekipit Kombëtar dhe golat që kam bërë me Shqipërinë. Çdo futbollist ka objektiv të jetë lider te ekipi Kombëtar.

Portugalia dhe Franca janë skuadra të mëdhaja që në gjirin e tyre kanë lojtarë të klasit botëror. Është kënaqësi e madhe të luash kundër tyre. Jam ndeshur kundër Ronaldos, Benzemasë dhe shumë emrave të tjerë të rëndësishëm.

Të dy kanë qenë të famshëm kur jemi përballur. Do të veçoja të 18 golave në Kombëtare. Kanë qenë një sadisfaksion i madh. Janë gola që kujtohen përherë.

Më vjen keq që nuk kam luajtur në Europian, por kam qenë pjesë e stafit të trajnerëve. Ishte një emocion shumë i madh dhe një gjë shumë e bukur. Shpresoj që ne të mos ndalemi vetëm te ai Europian.

Shpresoj të përsëritet historia, ne kemi tifoza të zjarrtë që na kanë përkrahur në të gjitha ndeshjet. Është një gjë e bukur jo vetëm për ata që luajnë, por për të gjithë Shqipërinë.

Kemi grup të mirë lojtarësh, që luajnë me skuadra të forta, por duhet forca e grupit, që të japë maksimumin. Uellsi, nuk ka kualitet më të madh se ne.

Janë ekipe si niveli i jonë, po të shikosh Uellsin apo Skocinë, kanë luftë sportive. Edhe Shqipëria duhet ta ketë një karakteristikë të tillë.

Është e vërtetë, Kemi mbrojtës shumë të mirë, por kemi dhe sulmues shumë të mirë. Rasti i Manajt. Ekipit shqiptar që përfaqësoi vendin tonë në Francë pjesa kryesore ishte grupi i bashkuar, nga minuta e parë deri kur mbaronte loja. Dhe me Danimarkën e bëmë këtë gjë, kishte shumë talente si Eriksen, por arritëm që të ishim ne në vend të Danimarkës në Kampionatin Europian.

Gjermania dhe Anglia janë 2 skuadra me histori në futbollin Europian. Me çfarë kemi parë në 3 ndeshjet e para Anglia më duket me më shumë ekuilibër në skuadër.

Kemi parë një Gjermani që lë hapësira mbrapa dhe i jep përparësi fazës sulmuese. Varet kush do të gabojë më pak. E shikoj më të favorizuar Anglinë sepse luan në “Uembli”, por është nj ndeshje që mund të ndodhë gjithçka”, u shpreh Bogdani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb