Ndonëse në grup janë Zherard Deulofeu dhe Pako Alkaser, Barcelona nuk mendon se këta të dy mund të ofrojnë të njëjtin rendiment dhe mund të mbushin me të njëjtat cilësi boshllëkun e madh që ka lënë largimi i Nejmarit në Paris. Prandaj, drejtuesit e Barcelonës do të kërkojnë që deri më 31 gusht të gjejnë një zëvendësues të denjë të tij.

Tashmë emrat nuk janë më një surprizë, por vështirësitë e tratativave dhe milionat që nevojiten janë të shumtë. Nëse krye të listës qëndrojnë Kutinjo i Liverpulit dhe Paulo Dibala, në ditët e kaluara janë përmendur edhe emrat e Marko Asensios së Realit të Madridit dhe Angel Di Marias së PSG-së, por ndërkohë, dje media katalanase ka bërë të ditur se në listë janë shtuar edhe dy të tjerë dhe drejtuesit kanë nisur nga puna.

I pari është Ivan Perisiç, sulmuesi anësor i Interit, i cili ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Milano.

Por duke parë se Mançester Junajtid nuk ka ndërmend që të plotësojë kërkesën prej të paktën 60 milionë eurosh të zikaltërve, Barcelona po mendon ta paguajë këtë shifër dhe të mbyllë gjithçka.

Ndërsa një tjetër lojtar është vetofruar dje, më saktë nga ana e klubit të tij. Bëhet fjalë për Rijad Mahrez, për të cilin Leiçester kërkon 35 milionë euro.

Për lojtarin në fjalë është në garë edhe Roma, por italianët nuk duan të kalojnë murin e 30 milionë eurove, prandaj ky fakt e bën Barcelonën favorite edhe në këtë rast, ndonëse drejtuesit katalanas nuk janë shumë të bindur. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb