Shkrimtari dhe poeti Visar Zhiti rrëfeu në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, jetën e tij nga përballja me diktaturën e egër komuniste, e deri te largimi në SHBA, ku po qëndron prej rreth dy vitesh. Teksa foli për përjetimet e trishta të kohës së diktaturës, ku ai sërish gjente mundësinë të shkruante, shkrimtari u shpreh se fati i tij është shumë i lidhur me fatin e të tjerëve, që e vuajnë atë regjim, por edhe të atdheut. Më tej, ai foli për jetën në SHBA, ku tha se atje kujdesi për njeriun është shumë i madh.

“Kujdesi i madh për njeriun është në çdo hap, edhe pse i padukshëm. Nuk sheh njeri me fshesë, por gjithsesi aty është aq pastër, sa ti nuk guxon as cigaren e mbaruar ta hedhësh në tokë, sepse është një pastërti, një respekt i thellë ndaj njeriut”, theksoi shkrimtari Zhiti.
Pyetje: Me gjithë këto eksperienca çnjerëzore, ju e kishit dëshirën, vullnetin dhe energjinë për të shkruar…

Zhiti: Ndoshta është fuqia e njeriut e tillë, që nuk shuhet kurrë.

Pyetje: Këto përjetime tuajat sa e përfaqësojnë historinë e kombit tonë?

Zhiti: Pyetja juaj është shumë e bukur, madje madhore. Kjo më vë përballë një vështirësie, që ndoshta e kam të vështirë ta shpjegoj. Jam i bindur se aty fati im është shumë i lidhur me fatin e të tjerëve dhe të atdheut. Përmbledh atë histori të pas Luftës së Dytë Botërore të Shqipërisë, ku u instalua diktatura më e egër në Evropë dhe atë shpresën e zbehtë, por gjithsesi shpresë, të lirisë.

Pyetje: Si është tani ky përjetim për ju, sa mendoni se ju kuptojnë njerëzit?

Zhiti: Së pari është dashuria njerëzore dhe kjo ndonjëherë nuk ka nevojë për fjalë e kuptim. Mua më lumturon kontakti me njerëzit që i dua dhe më duan, ndërkohë që dhe libri u bë shkak për ta zgjeruar këtë mundësi takimesh. Ne, me time shoqe e të tjerë, shkuam në Berat, ku patëm një aktivitet shumë të bukur për Nënë Terezën, me rastin e shenjtërimit të saj, ku ne ishim ftuar të referonim. Me këtë rast bashkia e qytetit bëri një takim letrar, një takim shumë i bukur në bibliotekë, ku çmimi “Vexhi Buharaja” i poetit dhe të përndjekurit beratas, ndoshta orientalisti më i shquar i letrave shqipe si përkthyes i letërsisë së orientit, më dha këtë çmim dhe bëmë një bisedë të bukur. Pastaj, shkuam në Shkodër, ku unë kam qenë studentë, kam miq, dhe bëmë një takim vërtet emocionues.

Pyetje: Ju ndjeheni shumë afër librit, lexuesit, por ju kishte marrë malli për Shqipërinë?

Zhiti: Natyrisht, është një mall i tillë që do ta kisha edhe po të isha këtu. Mall për Shqipërinë, që duhet të jetë, mall për atë që duhet të jemi. Një nga poezitë e mia është “Ëndërroj veten time se si duhet të jem”, pra ky mall është. Malli për Shqipërinë aktuale është i pranishëm, është aktiv. Unë jam në Shqipëri, edhe nëse s’jam në Shqipëri.

Pyetje: Në nëntor ju morët vendimin për t’u larguar dhe një ndër argumentet ishte se ‘në Shqipëri të përndjekurit politikë nuk i duan, por i kanë përdorur vuajtjet e tyre’, edhe pse ju keni qenë deputet, ministër i Kulturës…

Zhiti: Po, por shpesh nuk e kam pasur parasysh veten, kur kam folur, mund të kem qenë më i shpërblyeri apo më i ledhatuari.

Pyetje: Por dhe veten e keni futur?

Zhiti: Po dhe veten, natyrisht, unë jam pjesë e saj.

Pyetje: Letra për bashkëshorten dhe djalin… si ndiheni në SHBA, si është jeta atje, me çfarë merreni?

Zhiti: Amerika, siç e dimë, siç e kemi parë, ne bëjmë një jetë të zakonshme. Pëlqej paqen dhe qetësinë që më jepet. Jemi në rrethina të Cikagos, ku më shumë ka pemë se njerëz, ka liqene të vogla, të bukura. Kujdesi i madh për njeriun është në çdo hap, edhe pse i padukshëm. Nuk sheh njeri me fshesë, por gjithsesi aty është aq pastër, sa ti nuk guxon as cigaren e mbaruar ta hedhësh në tokë, sepse është një pastërti, një respekt i thellë ndaj njeriut.

Pyetje: Ju u larguat në një kohë të zymtë…

Zhiti: Dhe e gjej të zymtë.

Pyetje: Nuk ka ndryshuar asgjë?

Zhiti: Ka ndryshime, ka tronditje, që shpresoj të jenë për mirë.

Pyetje: Kë quani tronditje…

Zhiti: Një vit e gjysmë, po bëj dy vite, që kam ikur, dhe ajo që ju e quajtët zymtësi, nuk e di a është davaritur në këtë kohë.

Pyetje: Edhe në bazë të eksperiencave që keni kaluar, ju përmendët lajmet më shumë të këqija…

Zhiti: Duhet të jetë më e mirë media. Prandaj më bën përshtypje intervista me ju, që zgjidhni poezinë e jetës. Nuk do të thotë të shkruajmë poezi, por është shumë e rëndësishme të jetojmë me poezinë e jetës dhe poezia e jetës është ajo që nuk është shkruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb