Në çdo rrethanë tjetër, përmbytja e një fshati do shihej si një fatkeqësi, por një fshat në Ukrainë është përmbytur me qëllim nga banorët e tij.

Kjo ishte një lëvizje strategjike, e cila është bërë me qëllim ndalimin e sulmeve me tanke të ushtrisë ruse.

Banorët e fshatit Demydiv kanë përmbytur fshatin dhe tokat rreth tij, në mënyrë që të siguronin më shumë kohë ushtrisë ukrainase për të organizuar forcat mbrojtëse.

“Të gjithë e kuptojnë se për çfarë e bëmë dhe askush nuk pendohet për asnjë moment për pasojat materiale që solli. Ne e shpëtuam Kievin!”, tha me krenari Antonina Kostuchenko, një pensioniste, dhoma e së cilës tani është një hapësirë e mykur me shenjat e përbytjes kudo në mure.

Edhe dy muaj më vonë, banorët e Demydiv vozisnin me një varkë gome, raportoi The New York Times.

Diku tjetër në Ukrainë, ushtria ka hedhur në erë ura, ka bombarduar rrugë dhe ka çaktivizuar linjat hekurudhore dhe aeroportet. Qëllimi ka qenë të ngadalësojë përparimet ruse, të kanalizojë trupat armike në kurthe dhe të detyrojë kolonat e tankeve të shkojnë në një terren më pak të favorshëm.

“Deri më tani, më shumë se 300 ura janë shkatërruar në të gjithë Ukrainën”, tha ministri i infrastrukturës së vendit, Oleksandr Kubrakov.

Kur rusët u përpoqën të merrnin një aeroport kyç jashtë Kievit në ditën e parë të pushtimit, forcat ukrainase granatuan pistën, duke i lënë ata të mbushur me kratere dhe duke pamundësuar uljen apo ngritjen e avionëve që aty.

Ekspertët kanë vlerësuar se politika e “tokës së djegur” luajti një rol të rëndësishëm në suksesin e Ukrainës në mbajtjen e forcave ruse në veri dhe pengimin e tyre nga kapja e Kievit, kryeqyteti.

“Ukrainasit janë qartësisht shumë kreativë në përpjekjen për t’ua vështirësuar jetën rusëve”, tha Rob Lee, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme.

Strategjia ka një kosto të madhe për infrastrukturën civile të vendit. Ushtria ruse, gjithashtu, ka hedhur në erë ura dhe ka shënjestruar stacionet hekurudhore, aeroportet, depot e karburantit dhe objektet e tjera, duke shtuar dëmin e vetëshkaktuar të Ukrainës dhe duke rritur çmimin për rindërtimin e vendit pas luftës.

“Dëmi total i vlerësuar i infrastrukturës së transportit pas më shumë se dy muaj luftë është rreth 85 miliardë dollarë”, ka thënë qeveria ukrainase.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb