Përplasjet për garën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit janë kthyer në qendër të vëmendjes në vend.

Për të folur për të situatë, në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ ishte i ftuar analisti Mentor Nazarko.

Gjatë bisedës në studio, Nazarko solli një panoramë të situatës, nga përplasjet deri te vendosja e eksplozivit në banesën e presidentit të FSHF-së Armand Duka.

Analisti u shpreh se futbolli është një biznes që po bëhet akoma edhe më i madh për shkak të sukseseve të kombëtares, duke shtuar se është edhe një veprimtari që i intereson politikës, sepse përfshin masat.

Më tej Nazarko theksoi se është fakt që në atë Federatë që ka arritur suksese të mëdha,  nuk ka garë dhe kjo e bën më agresive përplasjen, ndërsa shtoi se ndërhyrja e kreut të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do të ishte më e arsyeshme nëse do të ishte shumë kohë më parë.

‘Futbolli nuk është vetëm një biznes që po bëhet i madh për shkak të sukseseve të kombëtares, por është edhe një veprimtari që i intereson politikës. Po ashtu për shkak të mungesës së një reforme  ligjore në formën pronësore te klubeve, kemi një rol të politikës që e ndërlidh me futbollin, nëpërmjet bashkive. Për shkak të sukseseve të Federatës ku ka meritë edhe zoti Duka, politika synon të ndikojë atje që të kontrollojë atë biznes, por dhe për ta shitur elektoralisht. Kryetari i Bashkisë është një palë e interesuar ligjërisht për procesin e zgjedhjeve në Federatë. Ndërkohë siç ndodh kudo në Shqipëri, dikush që kryeson një institucion që ka një mandat të gjatë apo të pavarur, sillen sikur ta kenë të tyre dhe blindohen  në rolin drejtues duke mos lejuar garën. Fakt është që në atë Federatë nuk ka garë dhe kjo e bën më agresive përplasjen. Në gjykimin tim ndërhyrja e Veliaj do të ishte më e arsyeshme nëse do të ishte shumë kohë më parë, jo vetëm ai , por kush ka interes për zhvillimet brenda kësaj Federate . Sepse mënyra e përfshirjes, gjuha dhe mjetet e përdorura, pavarësisht se të justifikuar legalisht, e ndihmojnë zotin Duka të krijojë statusin e viktimës të kërcënuar nga politika’, tha Nazarko.

Gjatë bisedës në studio analisti u shpreh se kryetari i bashkisë së Tiranës është palë e interesuar në procesin zgjedhor.

‘Gjithë kjo që po ndodh përfshirë dhe incidentin me vendosjen e eksplozivit e forcojnë ndërkombëtarisht pozitën e zotit Duka. Dikush që e ka vendosur ka menduar që t’i ndërlidhë ngjarjet. Nuk e di sa shpejt do të veprojë policia. Çdo pistë mund të jetë e arsyeshme, por nuk besoj që të jetë politika e përfshirë. Për shkak të autonomisë që ka futbolli, kjo autonomi është kthyer në pandëshkueshmëri. Por edhe politika duhet të kishte vepruar më herët, statusi i klubeve tona sportive është ende i paqartë. Po ashtu shpesh në krye të klubeve sportive janë afruar individë që kanë probleme me ligjin. Mungesa e traditës së garës, kush bëhet kryetar nuk lejon që deri sa të vdesë t’i marrin postin- kjo vlen për partitë dhe institucionet. Imorale këtu është se të gjithë qeveritë janë përpjekur ta kontrollojnë Federatën e Futbollit, por tani po vihet re se grupi i Berishës që çfarë nuk ka thënë ndaj Dukës- me apo pa të drejtë është rreshtuar në mbrojtje të tij. Tanimë nuk dihet çfarë ka ndodhur…Janë bërë aleatë, ndajnë diçka apo është një mbështetje e komoditetit të momentit?  Kjo nuk dihet. Por shihet se Rama nuk është përfshirë në vetë të parë’, tha Nazarko.

Gjithashtu në rubrikën ‘Opinion’ në News 24’, analisti u ndal edhe te zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Sipas tij 6 marsi është një garë për administrimin lokal të gjashtë bashkive, por ka dhe një rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar të ndërlidhur me të.

Nazarko u shpreh se në analizën e tij, duke se një pjesë e politikës synon t’i japë dimension kombëtar dhe një pjesë tjetër atë ndërkombëtar. Sa i përket qëndrimit të presidentit të Republikës Ilir Meta, analisti tha se presidenti si një llogaritës i shkëlqyer që është synon të ri-faktorizojë LSI-në.

‘Besoj që nuk do të arrihet kompromis për të pasur një front opozitar të përbashkët. 6 marsi është garë për administrimin lokal të 6 qyteteve. Një pjesë e politikës synon ti japë dimension kombëtar dhe një pjesë tjetër synon t’i japë edhe karakter ndërkombëtar dhe ky është rasti i zotit Berisha. Në këtë shikim palët po tregojnë mungesë tolerance ndaj njëri-tjetrit dhe këtë po e bën edhe krahu i Bashës dhe i Berishës sepse për ta është më me rëndësi përplasja në nivel kombëtar apo faktorizimi i Berishës si lojtari më i fuqishëm opozitar. Por brenda kësaj panorame duhet evidentuar, mendoj që Rama nuk do të përfshihet, dhe as mendon të përfshijë partinë apo qeverinë në një formë përplasje të ngjashme me 25 prillin. Kjo duket nga retorika, nga emrat që qarkullojnë për kandidatë të PS. Po ashtu është edhe çështja e imazhit dhe Rama nuk ka interes të përkeqësojë imazhin e vet. Zoti Meta që është një llogaritës i shkëlqyer  që synon që më 6 mars të ri-faktorizojë LSI, të bëjë një marrëveshje me grupin e Berishës që të marrë bashki të caktuara nëpërmjet shumicës relative. Nëse opozita do të ishte e bashkuar pse jo, mund të fitonte.. dhe të gjashtë bashkitë sepse ka prehistori të qeverisjes së tyre nga e djathta. Vetëm një qytet si Lushnja po luan në mënyrë konstruktive për kandidat të përbashkët, lojë që mund të bëhej kudo. Por interesi që kanë palët për tu faktorizuar ndërkombëtarisht po bën që të humbet ky objektiv… Është një proces zgjedhor që ndoshta mund t’i bëjë të lumtur të gjithë dhe të pakënaqur të gjithë’, përfundoi Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb