Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin “Luarasi”, Petrit Bara, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për synimet e këtij fakulteti, që hapet për herë të parë këtë vit akademik. Dekani Bara deklaroi se ky fakultet synon të jetë elitar, pasi sipas tij, të gjithë stafin akademik e ka me profesorë, profesorë të asociuar dhe doktorë shkencash.

Sipas Barës, një risi e këtij fakultet është edhe fakti se gjuha gjermane do të jetë gjuhë e dytë, çka ofron mundësi për punësimin e studentëve në përfundim të studimeve, por edhe bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, apo edhe me kompani të huaja.

“Ky Fakultet synon të jetë një fakultet elitar, të ketë një përvojë të vendit. Pavarësisht se është në fillimet e veta, përvoja dhe ana pedagogjike është nga profesorë të talentuar të fakulteteve që kanë qenë. Pra, është një transplant i profesorëve më me etikë, më elitarë të universiteteve shqiptare. Programi synon të nxjerrim studentë dhe mjekë të aftë për t’i shërbyer vendit të vet brenda dhe jashtë vendit, për të qenë në nivelin bashkëkohorë të tyre.

Interesi për Fakultetin e Shkencave Mjekësore ka qenë i lartë, telefonata, regjistrime paraprake, interesim maksimal për programet, kurrikulat. Ne synojmë të kemi kurrikula bashkëkohore, që në kreditimet e ardhshme ne të jemi në radhitjen e parë. Megjithëse, ne dokumentet i kemi bërë dhe i kemi dorëzuar dhe këto janë të mbaruar si kreditim, sepse kemi punuar 6 muaj për të hapur njësitë. Në një nga strategjitë e Fakultetit të Shkencave Mjekësore ka qenë dhe ajo e punësimit. Se vlera e mbarimit të një fakulteti, është që ai të të gjejë vendin e punës, kur mbaron. Kjo është një nga strategjitë më të rëndësishme dhe ne paraprakisht kemi pasur një strategji shumë konkrete, në bashkëpunim me kompanitë e mëdhaja farmaceutike dhe stomatologjike, si dhe në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës për pedagog dhe me Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, e cila do të jetë bashkëpunëtore e jona në kontratë, për të kryer praktikat mësimore të studentëve, për të qenë të lidhur me pedagogët.

Një risi që është në këto fakultete, është edhe vendosja si gjuhë e dytë e gjermanishtes, sepse është një shtet i fuqishëm, që ka rekrutuar shumë punonjës shëndetësie, mes të cilëve studentët tanë. E kemi vendosur si lëndë me zgjedhje gjuhën gjermane dhe kjo ka lidhje edhe me praktikën e punësimin e tyre, pasi mund të bëhen kontrata me kompani të fuqishme. Ne kemi një bashkëpunim paraprak me “Dekrën” dhe kompani të tjera gjermane, që tërheqin këtë kontigjent. Mund të bëhen pedagogë, mund të punojnë në administratë, të punojnë në farmaci private e publike, të ngrenë kompani të fuqishme të farmaceutikës, të stomatologjisë, me spitale, me shërbime të shquara. Ne jo pa qëllim shumë praktika i kemi lidhur me shumë kompani të fuqishme të Tiranës, që studentët të bëjnë praktika, dhe më tej të bëjnë kontratë pune aty ku janë.
Problem shumë i rëndësishëm është ai i kërkimeve shkencore. Në stafin pedagogjik që ne kemi, janë të gjithë profesorë, profesorë të asociuar dhe doktorë shkencash. Kjo është gjëja brilante që kemi ne si fakultet i Shkencave Mjekësore, që kemi më shumë doktorë e profesorë më shumë se fakulteti publik. Ne do të aplikojmë edhe për programe të reja shkencore, ku hyn Doktoratura, për të prodhuar doktorantë, në mënyrë që të mos ketë vështirësi për të gjetur specialistë. Ata duhet të përgatiten, jo t’i mbyllim, se ka plagjiatura. Ne nuk duhet të kemi frikë nga plagjiatura, ato kur të verifikohen, të ndëshkohen. Doktoraturat të jenë të programuara dhe studentët të përfitojnë. Nuk kemi pse iu presim të drejtën kushtetuese njerëzve për të studiuar, sepse programet e studimit janë 3+2+3”, tha prof. Bare.

I pyetur se cilat janë faktorët që Universiteti “Luarasi” konsiderohet elitar, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë theksoi se “Është kjo përvojë e pedagogëve dhe profesorëve, është frymëzimi ynë në mjekësi, që fillon që nga Hipokrati, dhe misioni i fakultetit tonë është që t’i edukojë studentët me frymën e etikës, humanizmit, shërbimit të Nënë Terezës dhe profesorëve kollozë, që kanë qenë korefetë e mjekësisë shqiptare dhe të shkencës shqiptare. Do të jetë elitar, për arsye të gjuhës, që i përgatisim për të gjitha vendet, për arsye të kontratave dhe të marrëveshjeve për punësimin e tyre.

Ne do të ngremë edhe një bibliotekë moderne në Fakultet, që është aktualisht, por do ta pasurojmë. Bashkëpunimi që do të kenë këta me neve, me trojet, me universitetet gjermane, italiane, etj. Që nga shtatori kemi një planifikim për bashkëpunim me 2-3 universitete. Në fushën akademike ne do të bëjmë projekte të përbashkëta me “DAD”, “Razmus”, etj, që projektet e Doktoratuës dhe projektet shkencore t’i bëjnë me cikle në Bruksel, të vijnë dhe ata të japin përvojën këtu.

Arsye të tjera janë se kemi oferta për studentët, kemi bursa për ekselentët, për studentët e mirë, për studentët në nevojë, për studentët me mesatare në dy vitet e para dhe për të gjithë ata studentë që bëjnë përpjekje për të pasur një zhvillim. Praktikat në spitale janë shumë afër tyre, për të qenë të përshtatshëm dhe të adaptueshëm për të gjitha fushat e mjekësisë. Ne do të jemi një fakultet, që do ndikojmë dhe do ta çojmë edhe më përpara emrin e Luarasit në fushën e mjekësisë. Kjo është sfida jonë, që ne të radhitemi në nivelin e diplomës së merituar të Luarasit dhe pse jo me fakultetet simotra evropiane”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb