TIRANË

Gazetari Ergys Gjençaj zbardh për “BalkanWeb” detaje të reja nga mbledhja e zhvilluar sot në selinë e Partisë Socialiste.

Siç raporton gazetari Gjençaj, mbledhja e kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë të PS në qarqe ka qenë e shpejtë dhe e shkurtër, përreth 30 minuta, ku është diskutuar për analizën e këtyre muajve të fundit, sa i përket zgjedhjeve të fundit parlamentare, por edhe përgatitjes së PS për sfidën e ardhshme, atë të zgjedhjeve lokale të 2023.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme, raporton gazetari Gjençaj për “BalkanWeb”, ka pasur edhe dy vendimmarrje, ku e para ka qenë organizimi i PS për 15 janarin, ku do të zhvillohet 30-vjetori i FRESH.

Një tjetër vendimmarrje ka qenë edhe mbledhja e nesërme e Kryesisë së PS, në të cilën pritet të zhvillohet një analizë e ngjarjeve të fundit në vend, kryesisht atyre të së shtunës, ku u zhvillua protesta e dhunshme te selia e PD, e thirrur nga Sali Berisha. Mbledhja e Kryesisë së PS do të nisë në orën 09:00 dhe temë diskutimi do të jetë edhe organizimi i PS, si dhe sfidat politike të kësaj force politike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb