Si do të jetë merkatoja e re e futbollit pas emergjencës së koronavirusit? Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ka folur për këtë çështje në mikrofonët e Sky Sport: “Mendoj se për të gjithë do të ndryshojë shumë sepse ka ndodhur diçka që ndodh një herë në jetë dhe ne duhet të përshtatemi me pasojat. Duhet fantazi, por mbi të gjitha qartësi për të kuptuar sesi të planifikohet e tashmja, por edhe e ardhmja”.

Në shtëpinë e Lacios siguritë nuk mungojnë, duke filluar që nga trajneri Simone Inzaghi, me të cilin do të rinovohet kontrata. “Për ne është një prioritet. Puna e tij është në sytë e të gjithëve. Lidhja e tij me këtë shoqëri është diçka përtej normales, ai është histori e këtij klubi sepse ka më shumë se 20 vjet që është këtu dhe askush nuk e ndjen këtë fanelë sa ai”.

Pasi ka blinduar Inzaghin, dy fjalë dhe për kryegolashënuesin e Serie A, Ciro Imobilen: “Imobile nuk është kontaktuar kurrë dhe kërkuar nga ana e Napolit sepse Imobile është Lacio dhe Lacio është Imobie. Kjo është një lidhje shumë e fortë dhe mendoj se do mbetet për shumë vite”.

Por nuk ka kaq siguri në lidhje me xhevahirët e skuadrës së Lotitos, si Luis Alberto apo Milinkoviç-Saviç, për të cilët Tare deklaron se çmimi nuk do të zbresë. “Mendoj se për lojtarët e fashës së parë çmimet nuk do të ulen. Për ata të fashës së mesme ose të ulët diçka do të ndryshojë. E sigurt është që nuk kemi nevojë të shesim lojtarë në këtë moment”.

Më pas Tare hap mundësinë për një largim të mundshëm të serbit. “Raporti i djaloshit me vendin, qytetin dhe Lacion nuk do të vdesë kurrë sepse është një lidhje e fortë, e rritur në vite. Nga ana tjetër, duke parë situatën, dëshirat, për të gjitha gjërat që kemi folur, çdo situatë do të vlerësohet në momentin e përshtatshëm pa asnjë presion, por mbi të gjitha për të mirën e të dyja palëve. Nëse do të ketë një mundësi që kënaq klubin dhe lojtarin, do të merret në konsideratë. Nëse nuk do të jetë, ai është i lumtur dhe ne jemi të lumtur që të qëndrojë. Vlerësim në shifra? Unë nuk jam i zoti në këtë, por bëhet fjalë për një lojtar të fashës së parë”.

Tare më pas flet për blerjet e së ardhmes. “Shumë shpejt do të blihet Eskalante i Eibarit. Një lojtar që kësa skuadre do t’i shërbejë shumë sepse ka eksperiencë dhe karakteristikat e duhura për t’u përshtatur sa më mirë në grupin tonë”.

Rreth gjashtë muaj më parë pati një tundim nga ana e Milanit. “Pata një kontakt me Milanin vitin e shkuar dhe kjo dihet. Në nivelin afektiv kur isha fëmijë, nuk e kam fshehur kurrë simpatinë time për Milanin e Van Bastenit, Gulit e Rajkardit. Jam rritur me mitin e Milanit të Sakit, por kur vjen momenti të bësh një zgjedhje, Lacio është Lacio dhe ka një rol thelbësor në zemrën time. Mund të them se ndihem lacial, ndaj lidhja ime me këtë klub shkon përtej çështjes profesionale dhe kjo është një krijesë që e kemi krijuar gjatë viteve dhe kur shoh frytet e kësaj pune, lidhja bëhet më e fortë”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb