Kuvendi i Shqipërisë ka votuar të enjten kundër heqjes së imunitetit të ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, pasi prokurorët kishin kërkuar autorizim për arrestimin e deputetes, e cila dyshohet për korrupsion. Deputetët e partisë në pushtet të kryeministrit Edi Rama me 82 votat e tyre pamundësuan heqjen e imunitetit të Ballukut, duke nxitur protestë nga deputetët opozitarë brenda sallës së Kuvendit.
Për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila u shkarkua nga Rama ditë më parë, nevojitej një shumicë e thjeshtë prej 71 votash. Derisa diskutimi dhe votimi po ndodhte brenda Kuvendit, një numër protestuesish u mblodhën pranë ndërtesës duke iu përgjigjur thirrjes së liderit të Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha. Duke folur para tyre, Berisha njoftoi se një protestë tjetër do të mbahet më 22 mars, dhe theksoi se ajo do të jetë “një kryengritje paqësore deri në fitore”.
Pas votimit, Ambasada gjermane në Tiranë tha se Gjermania e mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve, por shtoi se “kusht i domosdoshëm për të përparuar në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë”. “Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në deklaratë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i kishte kërkuar Kuvendit qysh më 16 dhjetor të vitit të kaluar t’ia hiqte imunitetin Ballukut. SPAK ka ngritur aktakuzë kundër Ballukut për “shkelje të barazisë me tenderë” në rastin që ka të bëjë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Asokohe, ajo e mbante pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Transportit dhe Energjetikës. Balluku është nën hetime edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me disa projekte infrastrukturore në Tiranë. Më 26 shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama e shkarkoi Ballukun nga postet qeveritare.
Partia Socialiste është kundër arrestimit të Ballukut, duke argumentuar se ajo nuk mund t’i prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK-it për ta hetuar atë është e hapur. Partia Demokratike opozitare ka deklaruar se imuniteti nuk duhet të kthehet në mburojë apo pengesë për drejtësinë. Ndërsa në Kuvend po mbante seancë, jashtë tij ishin mbledhur protestues të thirrur nga opozita. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Forca të shumta policie u rreshtuan para oborrit të Kuvendit për të mbikëqyrur situatën.
Prej kur SPAK-u ngriti aktakuzë kundër Ballukut, opozita ka zhvilluar disa protesta, në të cilat ka pasur tensione, dhunë dhe të lënduar, si nga ana e protestuesve, ashtu edhe nga ana e policisë. Para se të niste seanca për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut, Ambasada britanike në Shqipëri theksoi rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore. “Ekzekutivi, gjyqësori dhe legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet mes tjerash në deklaratë. Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe synon të jetë pjesë e bllokut para vitit 2030./REL


