“Jeta ime ndryshoi totalisht brenda një dite. “Në mëngjes, nuk e dija se do të largohesha nga Rusia dhe në darkë, isha në avion” rrëfen Olga Smirnova. Balerina 30-vjeçare ishte një nga yjet e teatrit Bolshoi, një artiste e njohur edhe në botë.

Në fillim të këtij muaji, ajo bëri një njoftim shokues, i ishte bashkuar Teatrit Kombëtar Holandez (DNB), duke lënë pas Moskën. Lëvizja erdhi menjëherë pasi Smirnova shkroi një postim në Telegram për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. “Me të gjitha pjesët e shpirtit tim jam kundër luftës”, ka shkruar ajo. “Kurrë nuk e kam menduar se do të më vinte turp për Rusinë”.

Duke folur nga Amsterdami, ajo shpjegon arsyen e largimit: “Nuk ndihesha e sigurt”. Edhe pse nuk kishte pasur asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë nga autoritetet, ajo shton: “Thjesht ndjeva se atmosfera ishte e tensionuar në vend. Fluturimet ndërkombëtare po anuloheshin dhe kishte zëra se kufijtë do të mbylleshin, ndaj vendosëm të largoheshim. Ne nuk donim të rrezikonim dhe të prisnim më gjatë.”

“Njerëzit kanë frikë të flasin. Nëse nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të qëndrojnë, ata preferojnë të mos flasin. Secili duhet të jetë në gjendje të vendosë se në çfarë lloj shoqërie dëshiron të jetojë dhe sa liri ka nevojë për të jetuar,”, tha ajo.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kritika ndaj Rusisë mund të ketë pasoja. Drejtori i përgjithshëm i teatrit Bolshoi, Vladimir Urin, është në mesin e një numri liderësh kulturorë që nënshkruan një letër kundër luftës. Në një takim me përfaqësuesit e artit të premten e kaluar, Putin sugjeroi shkrirjen e drejtorisë së teatrit Bolshoi me teatrin Mariinsky të Shën Petersburgut nën drejtorin e tij dhe besnik të Putinit Valery Gergiev, duke nënkuptuar se Urin do të largohej.

Nuk e kam ndjekur kurrë politikën”, thotë Smirnova, duke u treguar e kujdesshme me fjalët e saj.
“Por politika u bë e pamundur të injorohej, prandaj fola kundër luftës. Lufta është një mënyrë e papranueshme në botën tonë të qytetëruar për të zgjidhur çdo konflikt.”
Përveçse dëshiron që lufta të ndalet sa më shpejt që të jetë e mundur, ajo shqetësohet për marrëdhëniet e ardhshme midis Rusisë dhe pjesës tjetër të botës. “Është vërtet e dhimbshme,” thotë ajo. “Sepse ka të bëjë edhe me reputacionin e të gjithë popullit rus. Reputacioni i Rusisë është dëmtuar rëndë nga veprimet e qeverisë ruse”.
Prindërit e Smirnovës janë ende në Rusi. Ata e dinin se ajo ishte larguar vetëm kur u bë njoftimi i DNB-së. “Vetëm atëherë mund të flisja me ta dhe të shpjegoja situatën,” thotë ajo. “Dhe, sigurisht, për ta ishte vërtet e vështirë të pranohej. Para së gjithash, sepse janë prindër dhe duan të më kenë afër. Ata janë të mërzitur, donin që unë të qëndroja, por mendoj se u duhet më shumë kohë për të pranuar dhe kuptuar vendimin tim.”

Kur filloi pushtimi, Smirnova po merrte veten nga një dëmtim, kështu që nuk u kap nga orari i ngjeshur ditor i provave dhe shfaqjeve. “Kjo më ndihmoi për ta parë situatën nga jashtë,” thotë ajo. Pasi mori vendimin, ajo kishte pesë orë kohë për të paketuar gjërat e saj. Ajo dhe burri i saj fillimisht fluturuan për në Dubai, më pas në Amsterdam ku Smirnova filloi provat të nesërmen.

Ajo kishte dashur gjithmonë të punonte në skenat ndërkombëtare, asaj i pëlqente të punonte me koreografët e huaj në Bolshoi, e do modernen dhe ëndërron të kërcejë balet nga koreografi Hans van Manen. Megjithatë, këto nuk janë rrethanat që ajo do të kishte zgjedhur për punën e saj. Ajo tashmë po bën prova për një produksion të ri të Raymonda, i cili do të hapet këtë muaj.

Smirnova planifikon të qëndrojë në Amsterdam për një kohë të papërcaktuar, duke mos pasur asnjë ide se çfarë do të sjellë e ardhmja. “Kompania më mirëpriti ngrohtë,” thotë ajo. “Do të përpiqem të bëj më të mirën për ta.” Është e diskutueshme nëse ajo do të jetë në gjendje të kthehet në Rusi. “Për t’u kthyer në Rusi, mendoj se ndoshta do të më duhej t’i ktheja fjalët e mia. Dhe unë nuk e bëj këtë gjë. Sigurisht që do të doja të shihja prindërit e mi, të mund të shkoja në vendlindjen time në Shën Petersburg. Por e ardhmja është kaq e pasigurt tani, si e vendit ashtu edhe e imja.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb