Vijon të përkeqësohet situata në Afganistan, ku tashmë vendi ka rënë në duart e talebanëve, ndërsa SHBA dhe vendet e BE po evakuojnë të gjithë njerëzit e tyre.

Gjiganti mediatik “BBC” raporton se disa vende janë të hapura për bashkëpunim me talebanët. Kështu, siç thekson “BBC”, po vijojnë komunikimin me talebanët vende si Kina, Rusia dhe Irani.

Pjesë nga shkrimi i “BBC”:
Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës i tha agjencisë së lajmeve “AFP” se Pekini mirëpriti mundësinë për të ndërtuar lidhje të ngushta me Afganistanin. “Talebanët kanë shprehur vazhdimisht dëshirën për të zhvilluar marrëdhënie të mira me Kinën dhe ata mezi presin pjesëmarrjen e Kinës në rindërtimin dhe zhvillimin e vendit të tyre… ne e mirëpresim këtë”, tha ajo.

Ambasadori i Rusisë në Afganistan, Dmitry Zhirnov, do të takohet të martën me një përfaqësues të talebanëve për të diskutuar mbi sigurinë e ambasadës në Kabul, e cila do të mbetet e hapur. Moska ka thënë se shpreson të zhvillojë lidhje me talebanët.

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka thënë se “dështimi ushtarak” i SHBA në Afganistan ofron mundësi për të vendosur paqe të qëndrueshme në këtë vend. “Humbja ushtarake e Amerikës dhe tërheqja e saj duhet të bëhet mundësi për rikthimin e jetës, sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në Afganistan”, citoi TV shtetëror i Iranit Presidentin Raisi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb