Kryeministri Edi Rama priti sot në takim ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, e cila do të jetë kryesuesja e radhës e OSBE. Gjatë konferencës për shtyp, pas takimit, Rama zbuloi temat kryesore që janë diskutuar, që nga sfidat e OSBE, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE e deri të lufta ndaj krimit të organizuar.

Teksa vlerësoi projektet e bashkëpunimit me Suedinë, kryeministri shqiptar tha se “Jemi shumë të lumtur që së shpejti do të kemi në Shqipëri çeljen zyrtare të një investimi shumë të veçantë suedez në turizëm dhe shpresojmë që kjo do të vlejë për të promovuar drejtpërdrejt vendin tonë në vendet nordike, por edhe për tërhequr investimet në Shqipëri”.

Më tej, i pari i qeverisë shqiptare paralajmëroi edhe bandat kriminale shqiptare që veprojnë në Suedi, dhe që vijojnë të kenë lidhje edhe në Shqipëri, që do të thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve për t’iu shtrënguar darën.

“Vitin e ardhshëm Suedia merr kryesinë e OSBE. Suedia është një partnere e angazhuar e Shqipërisë në procesin e integrimit. Kemi folur për temat e OSBE. Me Anën kemi prej disa muajsh një kontakt të vazhdueshëm dhe një bashkëpunim të shkëlqyer për të nxitur një zgjidhje me dialog në Bjellorusi, por nga ana tjetër në funksion të stafetës së kryesisimit të OSBE kemi një diskutim konstant mbi të gjitha temat, që janë jo të lehta, por që fatmirësisht kemi një qasje 100% të dakordësuar. Jemi duke diskutuar së bashku edhe për atë që është një sfidë e madhe e kryesisë së OSBE, por është edhe një gur themeli në vazhdimin e punës së OSBE, që është përzgjedhja e drejtuesve të lartë të organizatës, pas asaj që ndohi me rrëzimin e paketës së parë të kandidaturave, diçka e pandodhur ndonjëherë në historinë e OSBE, dhe patjetër edhe për këshillin ministror të OSBE në Tiranë në fillim të dhjetorit, ku Ana do të jetë prezentë, edhe si marrja e stafetës së OSBE.

Kemi diskutuar edhe për bashkëpunimin me Suedinë në aspektin e integrimit evropian, që është një proces ku miqtë tanë suedezë janë plotësisht mbështetës dhe të angazhuar që ta shtyjnë përpara procesin, por edhe në aspektin e bashkëpunimit bilateral, ku kemi arsye të jemi shumë mirënjohës për Suedinë, që i ka qëndruar Shqipërisë pranë në gjithë këto vite, si një mik i vërtetë. Projektet e bashkëpunimit me Suedinë kanë sjellë gjithmonë cilësi, mësime dhe kanë vlejtur për të hedhur hapa më tej. Jemi shumë të lumtur që së shpejti do të kemi në Shqipëri çeljen zyrtare të një investimi shumë të vecantë suedez në turizëm dhe shpresojmë që kjo do të vlejë për të promovuar drejtpërdrejt vendin tonë në vendet nordike, por edhe për tërhequr investimet në Shqipëri. Kemi diskutuar edhe për një hap të ri në bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe krimit të organizuar. Jemi të gatshëm që të cojmë në Suedi oficerët tanë dhe të mirëpresim oficerët suedezë dhe të shtrëngojmë darën për elementet kriminalë, në rrjetet e krimit të organizuar në Suedi që janë nga Shqipëria dhe që kanë lidhjet e tyre këtu”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb