KORCË- Emri i birrës “Korça” i ka kapërcyer me kohë kufijtë e Shqipërisë, por së fundmi fabrika ku ajo prodhohet është kthyer në një atraksion të vërtetë, jo vetem turistik, por edhe mësimor. Pas studentëve dhe pedagogëve holandezë edhe një grup prej 21 studentësh dhe 4 pedagogësh amerikanë që vizituan gjithë Ballkanin (study trip) për t’u njohur me ekonominë e rajonit tonë, ishin vizitorët e radhës në këtë fabrikë.
birra 2
Studentët dhe pedagogët amerikanë të profilit të biznesit në Universitetin e famshëm  “Tennessee at Chattanooga”, i themeluar në 1886, janë njohur me historikun e birrës dhe me atë që ajo ofron për konsumatorët. 


Si pjesë e vizitës së tyre studimore në rajonin e Ballkanit, ata kanë përzgjedhur pikërisht fabrikën e birrës “Korça” për Shqipërinë. Pasi kanë vizituar fabrikën dhe kanë njohur çdo detaj të teknologjisë dhe produkteve të përdorura, ata edhe e kanë degustuar birrën. Studentët dhe 4 pedagogët kanë dhënë vlerësimet më të mira, madje kanë shfaqur interesimin nëse mund ta gjenin edhe në tregun amerikan.
birra 1
Drejtori i fabrikës “Birra Korça” Gentian Ramonllari u tregoi turistëve amerikanë që prej disa vitesh birra eksportohet edhe në tregun amerikan. Ai gjithashtu u ka bërë me dije edhe pikat dhe supermarketet ku mund të gjejnë prodhimin e çmuar nga Shqipëria.

“Ishte dëshira e pedagogëve të këtij Universiteti për futur në axhendën e vizitës ballkanike edhe birrën “Korça”,  jo vetëm si birra e parë shqiptare, por edhe si kulturë. Vizituan ambientet e fabrikës dhe u njohën me historinë, teknologjinë bashkëkohorë që përdoret për prodhimin e birrës. Degustuan dhe provuan birrën duke shprehur vlerësimet më të mira” thotë Ramonllari.

E ndërsa jemi në prag të sezonit turistik, Ramonllari tha se pritet të ketë rritje të numrit të vizitorëve në fabrikën e “Birra Korça”.

“Birra është pjesë e rëndësishme e mozaikut kulturor të Korçës. Në këtë kuadër një sërë vizitorësh vijnë për të njohur vlerat e historinë dhe teknologjinë se si prodhohet birra. Rasti i fundit është ky me profesorët dhe studentët nga Tennessee  që e quajtën birrën “Korça” një surprizë të bukur. Pjesa më e madhe e turistëve, çekë, gjermanë, italianë  dhe ata të vendeve të largëta Japonia, Koreja e Jugut, Amerikë dhe Kanada, kushdo që viziton Shqipërinë, nuk largohen pa vizituar Birrën “Korça”,- thotë ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: