Publikohet historia e panjohur e planit rregullues të Tiranës të cilën e kishte marrë përsipër arkitekti Grani Strazimiri që kur ishte student në Bashkimin Sovjetik pas vitit 1945. Memorie.al zbulon shkresat se si tentoi ai ta vinte në zbatim kur u kthye nga studimet në fillimin e viteve ’50-të, ai plan u miratua nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës në mbledhjen e mbajtur më datën 12 nëntor të vitit 1953, pasi më parë ishte marrë konsulenca dhe ndihma e dy arkitektëve të njohur rus, Kratjuk e Polyakov.  Çfarë parashikonte ai plan rregullues për kryeqytetin shqiptar që i’u besua për t’u zbatuar arkitektit të ri Gani Strazimiri, cilat ishin ndërtimet dhe godinat e vjetra të periudhës së para Luftës që nuk do prekeshin dhe ku ishin planifikuar për t’u vendosur e ndërtuar disa nga godinat kryesore, që nga Kryeministria apo siç quhej në atë kohë “Pallati i madh i Qeverisë”,  rikonstruksioni i Sheshit “Skënderbej”, ‘Teatri i Operas dhe Baletit’, ‘Pallati i madh i Ekspozitave’, ‘Muzeu Nacional’, ‘Parku Botanik’, ‘Parku Zoologjik’, ‘Hipodromi’, e deri tek ‘Teatri i madh i dramës’, etj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Të gjitha këto bëhen të ditura nga një intervistë e arkitektit Gani Strazimiri dhënë në vitin 1953 gazetarit Hasan Petrela për revistën “Miqësia” (organ i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik), ku ai shpjegon me detaje të gjithë punën e tij për planin rregullues të Tiranës.

“Projekti i planit është bërë në bazë të principeve socialiste të ndërtimit, në mbështetje të eksperiencës shumë të pasur të zhvillimit të qyteteve socialiste në Bashkimin Sovjetik. Ky plan ka filluar të realizohej qysh tani. Në Shallvaren, gjatë Lanës, e karshi kryeministrisë janë ngritur pallatet katër pesë katëshe. Këto ndërtime po në këtë zonë, do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhëshme të pesëvjeçarit në vijim. Po ky pesëvjeçar a parashef fillimin e punimeve për Teatrin e Madh të Operas dhe Baletit? Ju shpesh herë kaloni në Rrugën “Konferenca e Pezës”. Ndaluni për një moment para dyqanit të oficerave. Shikojeni me kujdes atë vënd: Aty do të jetë Teatri i Madh. Ky pallat – një nga ndërtesat më të mëdha të qytetit – do t’ja ndryshojë të gjithë pamjet qëndrës së kryeqytetit. Gjithnjë në bazë të planit rregullues, do të ndërtohen kopshte e çerdhe fëmijësh, shkolla, institucione etj. Nji vënd me randësi në këtë mes do të zërë “Pavjoni i Ekspozitave”, i cili do të ndërtohet aty ku është “Kursali”. Sheshi kryesor i qytetit – do të jetë aty ku është edhe sot, po do të pësojë zgjerim dhe rikonstruksion. Duke u nis nga fakti se qyteti e ka hyrjen kryesore nga perëndimi dhe si sfond malin e Dajtit, Pallati i madh i Qeverisë, në të gjitha variantet, vendoset në Pazarin e Vjetër, me fasadën kryesore nga perëndimi, duke zënë kështu vëndin më dominues dhe më të rëndësishëm të kryeqytetit”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një shkrim të gazetarit Hasan Petrela të botuar në revistën “Miqësia” (organ i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik), të vitit 1953, ku ai ka intervistuar arkitektin e ri Gani Strazimiri, që ishte ngarkuar për të projektuar planin rregullues të kryeqytetit shqiptar, me të cilin ishte marrë që kur ishte me studime në Bashkimin Sovjetik nga viti 1945 deri në 1950-ën, në Fakultetin e Inxhinjerisë (Dega Arkitekturë), pranë Universitetit të Moskës. Siç do të shohim edhe nga shkrimi në fjalë i revistës “Miqësia” e cili publikohet për herë të parë dhe i plotë nga Memorie.al, për planin rregullues të Tiranës, arkitekti Strazimiri është konsultuar edhe me dy arkitekët e njohur rus, Kratjuk dhe Paljakov, të cilët në atë kohë erdhën në Tiranë, dhe e panë nga afër kryeqytetin shqiptar. Pas kësaj ai plan rregullues i kryeqytetit u miratua nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës (Bashkia e asaj kohe) në mbledhjen e tij të datës 12 nëntor të vitit 1953 dhe i’u ngarkua për zbatimim arkitektit Gani Strazimiri. Po çfarë parashikonte ai plan rregullues, cilat ishin godinat, sheshet dhe ndërtesat e para Luftës të cilat nuk do prekeshin, te cilat prej tyre do ndërhyej për rikonstruksion dhe cilat ishin disa nga godinat dhe ndërtesat e mëdha qeveritare e publike që u parashikuan për t’u ndërtuar dhe ko do vendoseshin ato? Për të gjitha këto, si p.sh.: ”Sheshin Skënderbej”, Pallatin e madh të Qeverisë”, Teatrin e Operas dhe Baletit, Muzeun Nacional, Parkun Botanik, Parkun Zoologjik, Hipodromin, etj., etj., na njeh shkrimi në fjalë, por që për koeçidencë “fatale”, në intervistën e tij, arkitekti Gani Strazimiri, edhe Teatrin Kombëtar, por pa thënë se ku dhe si di të ndërtohej ai, pasi në atë moment ai është ndarë nga gazetari Petrela, pasi e ka kërkuar drejtori I tij dhe aty ndërpritet edhe shkrimi i revistës “Miqësia”! Por, lidhur me godinën e Teatrit Kombëtar, do njihemi në shkrimin në vijim, (nesër më dt. 26) ku do të pasqyrojmë të gjithë historinë e panjohur të jetës dhe punës së arkitektit të njohur Gani Strazimiri, duke u fokusuar edhe në idetë dhe projektet e tij në planin rregullues të Tiranës.

Shkrimi i revistës “Miqësia” në vitin 1953, me titull “Arqitekti i ri”, i gazetarit Hasan Petrela

Në një ditë të vitit 1936, në zyrën e Ministrit të Arsimit, paraqitej një djalosh i ri, me një lutje në dorë me të cilën kërkonte nga “Shkëlqesia”, e tij, Nush Bushati, bursë për të vazhduar studimet e larta jashtë shtetit.

“Shkëlqesa”, ministër që papandehur doli te dera e zyrës, as që ja vari djaloshit, por i tha shoferit porositë e fundit:

-Kështu pra, shko në shtëpi të Saras (këtu fjala asht për Sara Blloshmin, grua imorale dhe avneturiere), dhe bashkë me të nisuni për në Durrës. Pastaj eja më merr mua. Mos harroni merrni me vete venën franceze….., venën franceze, ehhh? dhe sytë e tij zakonisht të fikun, pa jetë sikur u ndezën atë çast, ndoshta nga një mëndim që i erdhi ashtu befas….

Shoferi u largua pa fjalë, ndërsa djaloshi i zgjati lutjen: Për bursë shkëlqesisë…?

-Çka kërkoni….?

-Bursë, Shkëlqesë, kam mbarue Liceun Arstitik me nota shumë të mira.

Ministri u largua duke lënë pas zhurmën e derës që e mbylli me forcë. S’po zgjatem të tregoj se si u rrokullisën punët më vonë, se si ky djalosh u end shkollë më shkollë, nga Liceu Artistik në gjimnaz, se si shkoi në Itali dhe si u largua andej me thirrjen e parë të Partisë Komuniste Shqiptare, se si ai pati edhe funksione politike më rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, se si i ati u vra në luftë për çlirim duke qenë në moshë 85 vjeçare, se si fill pas çlirimit të atdheut, Pushteti Popullor i akordoi bursë për arkitekt, duke e dërguar në vëndin që ai e dashuroi me gjithë shpirt, në atdheun e madh të socializmit, s’po zgjatem të tregojmë se: atje në mes të mësonjësve sovjetik, ai u diplomua arkitekt, po dua të theksoj se që nga ajo ditë e vitit 1936, kanë kaluar plot 17 vjet, e djaloshi i dikurshëm – tani një burrë serioz me tamtha krejt të thinjuna, sot është arkitek, shefi i Sektorit të Urbanistikës pranë Ndërrmarje – Projekti në Tiranë.

E gjeta në punë e sipër, kah po vizatonte me laps mbi një letër transparente, do pallate të mëdhenjë, të bukur….

– Ç’ka janë këto…?! – e pyeta miqësisht pasi u njoftëm….-

– Pallatet të rinj për Tiranën….

-Ju keni në dorë dhe planin rregullues të Tiranës?!!….

-E kush u’a tha?!…më pyeti dhe më shikoi me sy shqyrëtonjës.

-Drejtori, pse nuk është e vërtetë, a?!….Lëshoi një pshertimë dhe pa u menduar, më tha:

-Ah, ç’jeni ju gazetarët, gjë s’leni pa marrë vesh?!

-Unë për ju kam ndërmënd të shkruaj…..

-E çfarë do të shkruani për mua?!

-Që jeni një arkitekt i ri, e që….

-Ma preu menjëhere fjalën: – Ka plot arqitektë këtu. Çdo vit po shtohet numri i tyre….

-Po ju keni në dorë planin rregullues të qytetit tonë të dashur…- U duk se diçka mendonte. Pastaj buzëqeshi dhe tha ngadalë:

-Këtu, sejcili nga ne ka në dorë një diçka të bukur. Mirë është, p.sh., të shkruani për ndërtimiet në qytetin e punëtorëve ne patos. Ja, shikojeni atë djaloshjin atje -është inxhinjeri i ri, Koço Miho, që këtë vit u kthye nga Bashkimi Sovjetik. Shikoni atë tjetrin përtej, -asht Remzi Skënderi. Ai ka në dorë planin rregullues të Rrogozhinës, qyteti i ardhshëm industrial. Kurse arqitekti Kristaq Sahatçia, ka ndërtimet për vitin 1954 në qytetin e Durrësit. Pse, a më pak interesante janë këto? Në atdheun tonë kudo bëhen ndërtime madhështore.

-E pse të mos shkruajm mbi planin rregullues të Tiranës? – e pyeta mbas një heshtje të shkurtër.

-Jo, unë s’kam asnjsë kundërshtim, bile unë gëzohem, po do t’u lutem që për mua të mos thoni asnjë fjalë.

-Ai bëri një xhest me dorë, dikujt i dha përgjigjie për atë çka e pyetën, e vijoi:

-Jemi dakort?! …

-Po! Ju përgjigja pa dashje. Këtu dua t’i jap nji sqarim të vogël lexonjësve tanë. Historinë e sipërme të djaloshit unë e kam dëgjue, prej dikujt tjetër. Nga nji mik i ngushtë i tij, se ai vetë, s’më foli gjysëm fjale për jetën e tij, për punën e madhe që ka bërë qysh kur ishte student në Moskë, ku mori përsipër të paraqesë planin rregullues të Tiranës, plan i cili më vonë me ndihmën e madhe të arqitektëve të famshëm sovjetik, Kratjuk dhe Paljakov, që erdhën dhe e studjuan në vënd Tiranën, u bë konkrete e u aprovua nga Komiteti Ekzekutiv i qytetit të Tiranës, natën e 12 nëntorit 1953.

-Ju doni të dini si do të jetë Tirana pas 20 viteve?!….më pyeti arkitekti. Kur i shfaqa dëshirën se po, atëherë u ulëm pranë njëri tjetrit dhe ai filloi të më flasë me pasion mbi këtë plan madhështor të qeverisë tonë.

-Projekti i planit është bërë në bazë të principeve socialiste të ndërtimit, në mbështetje të eksperiencës shumë të pasur të zhvillimit të qyteteve socialiste në Bashkimin Sovjetik. Ky plan ka filluar të realizohej qysh tani. Në Shallvaren, gjatë Lanës, e karshi kryeministrisë janë ngritur pallatet katër pesë katëshe. Këto ndërtime po në këtë zonë, do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhëshme të pesëvjeçarit në vijim.

-Po ky pesëvjeçar a parashef fillimin e punimeve për Teatrin e Madh të Operas dhe Baletit? Ju shpesh herë kaloni në Rrugën “Konferenca e Pezës”. Ndaluni për një moment para dyqanit të oficerave. Shikojeni me kujdes atë vënd: Aty do të jetë Teatri i Madh. Ky pallat – një nga ndërtesat më të mëdha të qytetit – do t’ja ndryshojë të gjithë pamjet qëndrës së kryeqytetit. Mendo se vetëm si ndërtesë janë parashikue ma shumë se 80 milion lekë.

-Gjithnjë në bazë të planit rregullues, do të ndërtohen kopshte e çerdhe fëmijësh, shkolla, institucione etj. Nji vënd me randësi në këtë mes do të zërë “Pavjoni i Ekspozitave”, i cili do të ndërtohet aty ku është “Kursali”…

-Sheshi kryesor i qytetit – do të jetë aty ku është edhe sot, po do të pësojë zgjerim dhe rikonstruksion. Duke u nis nga fakti se qyteti e ka hyrjen kryesore nga perëndimi dhe si sfond malin e Dajtit, pallati i madh i qeverisë, në të gjitha variantet, vendoset në Pazarin e Vjetër, me fasadën kryesore nga perëndimi, duke zënë kështu vëndin më dominues dhe më të rëndësishëm të kryeqytetit. O, çfarë ndërtese madhështore do të jetë ajo e qeverisë. Është parashikue që edhe arkitektura e saj, të jetë e një mjeshtërie të naltë, duke e bërë kështu ndërtesën më dominuese. Para sajë m’u në ballë, do të jetë monumneti i J. V. Stalinit dhe tribuna e paradave e manifestimeve të mëdha…

-Qyteti do të jetë krejtësisht i gjelbëruar. Një park madhështor do të ngrihet prapa Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare. Ky park, nëpërmjet një zone gjelbërimi që kalon majtas e djathtas Bulevardit “Heronjtë e Kombit”, lidhet me qëndrën e kryeqytetit. Hyrja kryesore në këtë park, asht nga sheshi para Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të ngrihet nji monument. Mendohet që pallati i sotëm i Ministrisë së Mbrojtjes, të bahet Muzeum Nacional, dhe në majën e kodrës që ngrihet prapa kësaj ndërtese, të ngrihet panorama e Luftës Nacionalçlirimtare. Panoramë, quhet një ndërtesë madhështore ku brenda sajë do të paraqiten në riliev dhe maket, pikture e skulpture, momentet më të randësishme të Luftës Nacionalçlirimtare.

-Në parkun qëndror do të përfshihet edhe stadiumi i madh Kombëtar “Qemal Stafa”. Këtu parashikohet të ngrihet edhe Parku Zoologjim me një liqen artificial. Përveç parqeve me karakter publik, është projektue edhe Parku Botanik dhe Hipodromi në jugperëndim të Tiranës. Në një mënyrë uniforme, janë shpërndarë në qytet edhe qëndrat sportive rajonale.

-Si qëndër pushimi për punonjësit e kryeqytetit propozohet të jetë fusha e malit të Dajtit, 1000 metra mbi naltësinë e detit. Përveç kësaj fushe, mendohet se edhe Brari do të jetë qëndër pushimi, ku me pak shpenzime do të krijohet një liqen për banjo për kryeqytetasit. Një tjetër liqen i tillë, mendohet të ngrihet përtej urës së Beshirit…Po ashtu do të ndërtohet edhe Teatri i madh i Dramës, edhe…

-Mbi këto, befas, dikush, – ishte një vajzë me trup të hollë e me flokë të verdha – që na e preu bisedën.

-Shoku Gani Strazimiri, po ju kërkon drejtori – ….i tha ajo arkitektit.

-Arkitekti më shikoi më dashuri. – Më lejoni një minut? Më pyeti. Në thellësitë e syve të tij, m’u duk sikur shija Tiranën e ardhëshme, Tiranën madhëshëtore, epiqendrën industriale e kulturale të Shqipërisë Socialiste./Memorie.al 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb