Donald Trump u betua sot si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa më pas mbajti edhe fjalimin e tij të parë pas marrjes zyrtarisht të detyrës ku tha se që sot do të firmosë një sërë urdhrash ekzekutivë historikë.
“Sot do të nënshkruaj një sërë urdhrash ekzekutivë historikë. Me këto veprime do të fillojmë restaurimin e plotë të Amerikës dhe revolucionin e arsyes së shëndoshë. Gjithçka ka të bëjë me sensin e përbashkët.”
Trump u shpreh se do të shpallë një emergjencë kombëtare në kufirin SHBA-Maksikë ditën e sotme, ndërsa do të përcaktoje edhe kartelet e drogës si organizata terroriste.
Ai deklaroi po ashtu se do të anulojë programet e diversitetit të qeverisë, duke theksuar se shoqëria amerikanë do të bazohet në merita nga sot e tutje.
Trump u ndal edhe te fjala e lirë, duke treguar se do të nënshkruajë një Urdhër Ekzekutiv për të ndaluar çdo censurë dhe për të rikthyer fjalën e lirë në Amerikë.
“Pas vitesh e vitesh kufizimi të paligjshëm dhe antikushtetues të shprehjes, unë do të nënshkruaj gjithashtu një Urdhër Ekzekutiv për të ndaluar çdo censurë dhe për të rikthyer fjalën e lirë në Amerikë”, tha ai.
(BalkanWeb)