Një takim midis kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe homologes italiane Giorgia Meloni është planifikuar në Romë, ndoshta që javën e ardhshme, sipas zyrtarëve grekë.
Bisedimet pritet të përfshijnë të ardhmen e kompanisë “Hellenic Train”, në pronësi të shtetit grek dhe kompanisë hekurudhore italiane Ferrovie dello Stato (FS).
Greqia po kërkon një investim prej 300 milionë eurosh nga FS për të modernizuar shërbimin hekurudhor, veçanërisht në linjën Athinë-Selanik dhe rrjetet hekurudhore periferike.
Iniciativa vjen pas aksidentit vdekjeprurës të trenit, në Tempe, në vitin 2023, pas të cilit besimi i publikut në sistemin kombëtar hekurudhor ra ndjeshëm. Autoritetet greke janë të vendosura të riparojnë sigurinë dhe infrastrukturën hekurudhore.
Samiti dypalësh, i shtyrë më parë këtë vit për shkak të trazirave të brendshme, tani është rikthyer në axhendë. Zëvendësministri grek i Transporti,t Konstantinos Kyranakis, ka planifikuar të vizitojë Romën për bisedime përgatitore me udhëheqjen e FS dhe zëvendëskryeministrin italian Matteo Salvini.
Përtej çështjeve hekurudhore, pritet që dy kryeministrat të diskutojnë marrëdhëniet më të gjera dypalëshe, migracionin dhe dinamikat gjeopolitike në ndryshim në Mesdhe. Athina mbetet e shqetësuar për lidhjet në rritje midis Romës dhe Ankarasë, pas takimit të fundit midis kryeministres italiane Meloni me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe shitja e Piaggio Aerospace të Italisë te Baykar i Turqisë, një prodhues dronësh.