TIRANË

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zbardhi detaje nga Kongresi i PS, që do të mblidhet ditën e nesërme, dhe që përkon edhe me 30-vjetorin e themelimit të kësaj partie.

Në një komunikim me gazetarët nga selia rozë, Balla deklaroi se Kongresi i PS do të nisë me surpriza të bukura, ku do të ketë mesazhe dhe përshëndetje nga socialistët e vjetër, që sipas tij, kanë kontribuar në PS, dhe në të njëjtën mënyrë edhe për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Më tej, Balla deklaroi se Kongresi do të vijojë me analizën e thellë në të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, duke shtuar se në dy zgjedhjet e fundit, ato të 2013 dhe 2017, nuk është bërë një analizë e tillë për gjërat që nuk janë bërë mirë brenda PS-së.

“Nesër PS feston 30-vjetorin e saj dhe urimet nuk bëhen dot sot, por natyrshëm që ky është një moment historik në rrugëtimin e PS, e cila gjatë gjithë këtyre 30 viteve ka një kontribut të veçantë në jetën politike të vendit. Është e vetmja forcë politike që gjatë këtij rrugëtimi nuk i ka bërë asnjëherë dëm interesave të vendit, por ka kontribuar në forcimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe çuarjen përpara të reformave, që na kanë afruar sot më shumë se kurrë me ëndrrën e anëtarësimit në BE. Kështu do të jetë pjesa e parë e Kongresit ditën e nesërme, do t’i dedikohet rrugëtimit të këtij 30-vjecari.

Unë nuk do të zbardh sot surprizat e bukura, që do të sjellë të gjithë kontributin e atyre në PS, që duke kontribuar për PS, kanë kontribuar edhe për rrugëtimin në BE. Do të ketë mesazhe, përshëndetje, dhe pas kësaj do të kalojmë në prezantimin e vizionit tonë “Shqipëria 2030”, ku brenda kësaj pjese do të jetë edhe përmbledhja e objektivave tona për mandatin e ri qeverisës. Më pas, është dhe një pjesë tjetër, që është pjesa që lidhet me procesin e thellë të analizës dhe riorganizimit të plotë të strukturës së PS në të gjithë territorin, në të gjitha nivelet, nga ai bazë në të gjitha nivelet e tjera.

Dua ta nënvizoj dhe të jetë e qartë për gjithë strukturën e PS, se ndoshta në dy palë zgjedhje ato të 2013 dhe 2017, ne nuk kemi bërë një analizë të duhur dhe të thellë për të kuptuar se në cilat pjesë të organizimit tonë nuk kemi funksionuar si duhet dhe ku duhet të përqendrohemi. Në këtë këndvështrim, prandaj ne po i japim vetes kaq shumë kohë në dispozicion. Procesi fillon nga 15 qershori e deri më 15 janar 2022, për të garantuar që në pranverën e 2022 e gjithë struktura e PS t’i përgjigjet pritshmërisë së kryetarit Rama dhe gjithë kolegëve të tjerë, që jemi drejtues rajonalë të PS, në përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 2023”, deklaroi Balla.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb