Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, ku ka ngritur shqetësimin lidhur me trajtimin e të burgosurve të luftës nga Rusia.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Presidenti Zelensky, i cili ka shkruar në “Twitter” se gjatë bisedës me Scholz ka theksuar rëndësinë për vendimet për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian

“Diskutova për rritjen e mbështetjes së mbrojtjes për Ukrainën dhe për t’u siguruar për sigurinë globale të ushqimit. Ngrita çështjen e respektimit të ligjeve ndërkombëtare të Rusisë në trajtimin e të burgosurve të luftës. Theksova rëndësinë për vendimet për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Zelensky në “Twitter”.

Zelensky nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë bisedë telefonike.

Media shtetërore ruse TASS raportoi më 7 qershor se mbi 1,000 ushtarë ukrainas, të cilët janë dorëzuar në qytetin-port të Mariupolit, tani po mbahen në territorin rus dhe po hetohen.

Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, Rusia ka bllokuar portet ukrainase, duke penguar që të eksportohen mijëra tonë drithë nga Ukraina, një prej prodhuesve më të mëdha në botë të drithit. Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Rusinë se po vjedh stoqe me drithëra nga Ukraina dhe po i dërgon në Rusi.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, po qëndron në Turqi në bisedime për zhbllokimin e eksporteve e drithërave nga Ukraina.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb