Në Shqipëri një ditë përpara protestës në selinë e Partisë Demokratike, të njoftuar nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të marrë kontrollin e godinës, palët u përfshinë sërish në akuza të forta ndaj njëra-tjetrës. Zoti Berisha, deklaroi se kryetari Lulzim Basha po mban brenda selisë njerëz me rekorde kriminale. Ndërsa Sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi reagoi më pas duke thënë se është zoti Berisha që shoqërohet me trafikantë që sipas tij janë në kërkim

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetës të tij ishin sot në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa para tyre, përfaqësues të Forumit Rinor dhe atij të grave demokrate kishin provuar të hynin në seli duke gjetur sërish dyert e mbyllura.

Një ditë përpara protestës së thirrur nga zoti Berisha për të marrë në kontroll godinën, tonet e ndezura vetëm sa e mbajnë lart tensionin. Duke folur për kryetarin demokrat Lulzim Basha, të cilin nuk e njeh më për të tillë, zoti Berisha e akuzoi atë për “blindimin dhe shndërrimin në bunker burg të selisë së PD, bllokimin e hyrjeve të selisë për deputetët, mbushjen e kësaj selie me kriminelë delinkuentë, që kanë mbi shpatullat e tyre vrasje, trafiqe kriminale, akte seriale gjer të fanatizma dhe ektremizma të dënueshme”

Zoti Berisha përsëriti disa herë se protesta e nesërme do të jetë paqësore, duke nënvizuar megjithatë vendosmërinë e anëtarësisë, siç u shpreh ai, për të realizuar objektivin që i ka vënë vetes: “Nuk ka asnjë diskutim që dyert do hapen në mënyrën më të vendosur, që selia do t’u rikthehet demokratëve. Nuk ka blind apo beton, që mund të pengojë demokratët shqiptarë si njerëz të lirë, ta rikthejnë këtë ndertesë nga burg në ndërtesë të lirisë”.

Menjëherë pas tij ishte sekretari Gazmend Bardhi që reagoi po me tone dhe akuza të forta: “Për fat të keq ajo që sot nuk e fshehur dot Sali Berisha është skenari i tij i dhunës ndaj PD. Ashtu siç edhe në të shkuarën ku me trafikantë droge ka shqyer dhe shkelmuar dyert e PD, edhe sot paralajmëroi akte dhunë në selinë qendrore të demokratëve”

Zoti Bardhi mohoi që dyert e selisë së partisë demokratike të jenë blinduar, përkundër fotove që kanë qarkulluar që dje në media, ku dallohen porta të mëdha hekuri në korridoret e godinës. Ai saktësoi megjithatë se “në përgjegjësinë që na kanë ngarkuar demokratët është detyra jonë të marrim çdo masë për mundësi përplasje mes demokratëve. Meqënëse Sali Berisha ka humbur arsyen dhe me njerëzit e tij bën thirrje për gjakderdhje në selinë qendrore të demokratëve, ne të lejojmë këtë shoë dhe ti bëjmë një dhuratë të çmuar Edi Ramës atij dhe regjimit të tij. Sali Berisha ka vendosur ti bëjë dhuratë Edi Ramës duke përplasur demokratët me demokratët për hallin e tij personal, përgjegjësia jonë është të mbrojmë interesin e PD dhe të mos lejojmë përplasje mes demokratëve”.

Akoma më i ashpër ishte më pas kryetari Basha në një dalje publike drejtuar demokratëve, duke u kujtuar atyre se “Berisha e nisi si betejë për statutin, por tregoi se ishte një mashtrim si gjithcka tjetër që prej 9 shtatorit. Ai shkeli statutin, manipuloi firmëtarët për kuvendin, manipuloi me mitingun, manipuloi me pseudo referendumin. Sepse ai do kaos dhe dhunë, ai nuk njeh as statut as institucione, sepse ai do PD-në vetëm si mburojë për hallin e tij të madh. Për hallin e tij nuk mendohet dy herë të përplasë demokratët me njeri tjetrin. Ta harrojë!”

Zoti Basha theksoi më tej se “kjo seli nuk është e nuk do të jetë han mesjetar ku mund të hyjnë duke u kapardisur eksponentë të botës së trafiqeve dhe krimit, apo të merret peng nga ish zyrtarë të korruptuar të qeverisë së PD-së. Selia e PD-se nuk do të jetë arenë vetëgjyqësie për interesat e Sali Berishes. Përplasje të tjera nga ato që ka ndërmend Sali Berisha dhe skenaristët e të ashtuquajtures protestë para selisë së PD-së nuk ka e nuk duhet të ketë”.

Kryetari i PD-së, i bëri thirrje demokratëve “t’u rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së. Sepse edhe tani Sali Berisha po ju gënjen, manipulon dhe mashtron. Ai kërkon ti përdorë demokratët si fasadë, sepse nesër ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna është streha e tij e fundit. PD ka marrë masa të përballet dhe t’u tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj”./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: