TIRANE
Me një skenografi që dukej se rindërtonte para syve tanë Egjiptin e lashtë, Opera “Aida” e G.Verdit erdhi në skenën e Teatrit të Operas, duke shënuar rekorde sa i takon interesit të publikut. Mezosopranoja Ivana Hoxha, që interpretoi princeshën egjiptiane Amneris përballë rivales Aida në skenë, rrëfen përvojën e saj personale.
“Unë kam qenë edhe te ‘Aida’ e parë fare që është bërë para 16 vitesh. Kam qenë studente dhe isha në kor, por kjo herë ishte ndryshe, sepse luajta atë rol që e kam pasur realisht ëndërr që në ato vite kur shihja solistët në skenë. E doja dhe e kisha në mishin tim. Është rol i bukur, është forca me të cilën ajo lufton për të pasur dashurinë e vet. Realisht ishte pak më e vështirë këtë herë sepse jam mama me dy beba të vegjël, dhe përveç rolit që ka një vështirësi ekstreme përtej normales, vështirësia rritet pak më shumë nga pagjumësia e mamave siç e dimë të gjithë”, tregon Ivana Hoxha.
Princesha etiopiane Aida dhe ajo egjiptiane Amneris, përballen për një dashuri por edhe për lavdinë e kombeve të tyre në një opera me 4 akte që në skenën shqiptare u luajt për pothuaj katër orë rrjesht në kater net. Nga Tirana, Ivana Hoxha do të intepretojë te opera Aida në teatrin e Varnës në Bullgari.
“Një nga surprizat që m’u bë ishte ftesa për të kënduar në teatrin e Varnës. Këndoj në një kast me një nga sopranot e famshme bullgare që bën karrierë në Europë, Krazimira Stojanova. Më e vështirë se është të këndosh në Tiranë, nuk është asgjëkundi, sepse është përgjegjësia që ke në teatrin tënd”.
Ivana Hoxha ka interpretuar te Carmen, Il trovatore, Karnavalet, etj.