6 gra kanë humbur jetën nga bashkëshortët e tyre vetëm gjatë vitit të fundit në Shqipëri. Ato janë vrarë pasi bashkëshortët e tyre kishin dyshime për tradhëti.

Krimi në familje goditi vendin që në ditët e para të janarit ku në Ballsh më 2 janar Gazment Musta vrau bashkëshorten dhe kunatën pas një debati.

Një muaj më vonë Vlora do të tronditej sërish nga krimi në familje. Në banesën e çiftit Lera u gjet e mbytur nga bashkëshorti Eva, e cila edhe më parë kishte qenë e dhunuar.

Një javë më vonë në Tiranë gardisti Alket Arapaj do të qëllonte me armën e shërbimit mbi bashkëshorten e tij Ervilma Seferi vetëm se dyshonte se ajo e tradhëtonte.

Më 23 mars, në Gramsh Alvin Hysa mbyti me duar bashkëshorten e tij Gurien duke lënë jetim fëmijët e tij të mitur.

I njëjti skenar dhune deri në marrje jete u përsërit në 30 prill në Gjirokastër ku viktimë nga dhuna e burrit mbeti Antoneta Hoxha.

Vrasja me e fundit në familje u shënua në Vlorë më 25 qershor ku Lavdosh Sula vrau me mjete të forta bashkëshorten e tij Lauretën pasi kjo e fundit, sipas tij kishte një lidhje jashtë martesore me kushëririn e tij.

Gjatë këtij viti kanë ndodhur dhe krime të tjera në familje ku djali ka vrarë nënën, nipi gjyshin apo vrasje për marrëdhënie familjare si ish- dhëndri vjehrrin dhe vjehrrën apo kunati, ish-kunatën. Pavarësisht ashpërsimit të Kodit Penal për këtë vepër penale duket se ende në Shqipëri nuk ka një ndërgjegjësim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: