Sektori i tregtisë ka pësuar tkurrje në dekadën e fundit, si në drejtim të numrit të bizneseve ashtu edhe në peshën që ka në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Sipas INSTAT, bizneset aktive në sektorin e tregtisë në vitin 2020 ishin gjithsej 43,668, niveli më i ulët i dekadës që nga viti 2011. Gjithashtu pesha e sektorit në PBB ra me 1 pikë përqindje gjatë 10 viteve të fundit, duke shkuar nga 16.6% në 2011 në 15.5% në vitin 2020.

Sektori i tregtisë po tkurret për dy arsye themelore, që vijnë nga ndryshimet strukturore të sektorit dhe uljes së popullsisë nga emigracioni i lartë. Vitet e fundit, hapja e qendrave tregtare ka ndikuar në përqendrimin e shitjeve me pakicë të veshjeve dhe zgjerimi i rrjeteve të supermarketeve ka përqendruar shitjet me pakicë të ushqimeve nga dyqanet e vogla në njësi më të mëdha.

Referuar të dhënave të INSTAT, nga viti 2011-2020 janë larguar nga vendi 400-600 mijë persona. Tkurrja e popullsisë sidomos në qarqe ka ulur konsumin dhe për rrjedhojë numrin e bizneseve që merren me tregti. Vetëm në vitin 2020, në të gjithë vendin u mbyllën 1.5 % e bizneseve në sektorin e tregtisë ose 656 të tilla. Kjo si rrjedhojë e efekteve negative të pandemisë, ku tregtia ishte ndër më të goditura në disa segmente të veçanta të tregut, sidomos veshjeve.

Falimentet më të mëdha në bizneset e tregtisë u panë në disa bashki të vogla si Fushë-Arrësi, Skrapari, Pusteci, Belsh, Klos, Has, ku mbylljet në përqindje ishin me ritme dyshifrore. Në ana tjetër disa bashki panë rritje të bizneseve në sektorin e tregtisë. Në Konispol vitin e kaluar numri i bizneseve shënoi rritje vjetore 7.3%, në Cërrik 5.7%, në Dibër 4.3%, Urën vajgurore 4.3%, Librazhd 3.6%.

Vitin e kaluar, zgjerimin më të madh e kishin bizneset në sektorin e ndërtimit dhe të bujqësisë. Të dy këta sektorë nuk u ndikuan nga pandemia dhe kanë parë flukse më të larta të aktivitetit se sa në viti normal.

Sipas anketave të Bankës së Shqipërisë në kuadër të Indeksit të Besimit me 2020 rezultoi se bizneset në sektorin e shërbimeve dhe ndërtimit ishin më optimiste edhe në drejtim të punësimit. Në kundërt bizneset, në sektorin e tregtisë ishin më pesimiste./B.Hoxha

Burimi: INSTAT