ELBASAN- Lokali ku paraditen e sotme u gjet një sasi eksplozivi në Elbasan është në pronësi të një emri të njohur për Policinë e Elbasanit. Bëhet fjalë për Besnik Braka, 52 vjeç ose i njohur edhe me emrin Nik Vojaçek. Lokali ku u gjet pakoja me 150 gram tritol rezulton në emër të vajzës së tij.

Nik Braka është ekstraduar në tetor të vitit 2013 nga Mynihu i Gjermanisë drejt vendit tonë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana. Këtë shtetas Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 12.01.2009, e ka dënuar me 14 vjet burg për kryerjen e veprave penale të “trafikim armësh dhe municionesh”, “prodhim e shitje narkotikësh”, “prodhimit dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Në vitin 2003, në kufirin me shtetin grek janë sekuestruar një sasi e madhe fishekësh luftarakë dhe në vitin 2004 është sekuestruar një sasi prej rreth 510 gr heroinë e një armë zjarri pistoletë, ku nga hetimet e kryera ka rezultuar se autor ishte i ekstraduari, Nik Vojaçek.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden në Gjermani u bë i mundur arrestimi i tij më datë 5 shtator 2013, në Ëaidhaus-Bavari, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Ndërsa më pas, Besnik Braka ose Nik Vojaçek është arrestuar në 15 dhjetor të vitt 2015 për korrupsion ndaj një gjyqtari në Durrës.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Durrësit për korrupsion aktiv ndaj gjyqtarit me 2 vjet burg në mungesë”, thuhej në njoftimin e Policisë në vitin 2015.

Pakoja me eksploziv u gjet sot në shkallët e lokalit në lagjen “Emin Matraxhiu”, ndërsa pas boshatisjes së zonës njësia anti-eksploziv e ardhur nga Tirana bëri edhe shpërthimin e kontrolluar.
Nga të dhënat mësohet se në pako nuk kishte pasur kartë sim, çka tregon se vendosja e tritolit ishte një paralajmërim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb