Pesë kandidatët për të zëvendësuar Boris Johnson në krye të Partisë Konservatore dhe si kryeministër i vendit, janë përballur sot në të parin debat publik.

Ajo që ra në sy është se asnjë prej të pestëve, nuk mundi që ta përshkruante Johnson si një person të ndershëm.

Pyetjet hapëse u përqendruan mbi përshkrimit të besimit dhe integritetit të kryeministrit në detyrë.

Katër nga pesë kandidatë, Liz Truss, Penny Mordaunt, Kemi Badenoch, Rishi Sunak dhe Tom Tugendhat, kanë qenë pjesë e kabinetit të Johnson.

E pyetur nëse kryeministri ishte një njeri i ndershëm, zonja Badenoch, e cila ishte ministre pranoi se ai vetëm “ndonjëherë” thoshte të vërtetën.

Z. Tugendhat, një kritik afatgjatë i Johnson, ishte i vetmi që tha thjesht ‘jo’.

Ndërkohë që zonja Mordaunt tha: “Ka pasur disa çështje vërtet të rënda dhe unë mendoj se ai ka paguar një çmim për këtë.”

Kaandidati tjetër, zoti Sunak tha: “Unë u përpoqa t’i jepja atij ‘përfitimin e dyshimit’ për aq kohë sa të ishte e mundur dhe në fund arrita në përfundimin se ishte e kotë, dhe kjo është arsyeja pse dhashë dorëheqjen… Kishte një sërë arsyesh që dhashë dorëheqjen, por besimi dhe ndershmëria ishin pjesë e këtij vendimi”.

Liz Truss tha se “ai është vetë shumë i qartë se ka bërë gabime në qeveri”, por ajo e kishte marrë shpjegimin e tij për deklaratat e pasakta mbi Partygate.

Kjo deklaratë e saj erdhi pasi zonja Truss ishte zotuar më herët se do të merrte vendime të cilat do të reduktonin taksat që kanë në shënjestër familjet dhe bizneset sot.

Sekretarja e Jashtme u zotua të heqë përkohësisht taksat e gjelbra për të hequr 153 paund nga faturat e energjisë së ekonomive shtëpiake dhe për të lehtësuar presionin e kostos së jetesës.

Zonja Truss, e cila është e treta në garën për të zëvendësuar Boris Johnson, u zotua gjithashtu të anulojë një rritje të planifikuar të taksës së korporatës vitin e ardhshëm nga 19 në 25 përqind – me një kosto prej 16 miliardë paund.

Premtimet e saj për taksat ishin në kontrast me rivalët, përfshirë kryesuesin Rishi Sunak, i cili përsëri refuzoi të angazhohej për uljen e taksave. Ai u tha atyre që shikonin ngjarjen online të organizuar nga faqja e internetit Conservative Home se kontrolli i inflacionit në rritje ishte më i rëndësishëm sesa ulja e verbër e taksave.

“Ne duhet të fillojmë menjëherë të vendosim para në xhepat e njerëzve, ne e dimë se familjet po luftojnë për të përballuar jetesën në këtë moment.

Do të bëj gjithashtu një moratorium të përkohshëm në nivelin e energjisë së gjelbër për të shkurtuar 153 paund nga faturat e energjisë së ekonomive shtëpiake.

Dhe gjithashtu nuk do të bëja rritjen e taksave të korporatës sepse mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të tërheqim investime në vendin tonë”, tha zonja Truss.

Ndërkohe ministrja e tregtisë Penny Mordaunt u kërkoi kundërshtarëve të saj të ulin tonet e taktikës së tyre, ndërsa ajo mburrej me sondazhet që sugjeronin se është më popullorja nga anëtarët e partisë.

Pjesë e debatit ishte edhe çështja e identitetit gjinor, të cilin zonja Mordaunt u përpoq ta anashkalonte, duke thënë se ajo është ‘gjenetikisht një grua’ dhe gratë trans nuk janë gjenetikisht të tilla. Ajo këmbënguli se nuk është e drejtë që burrat biologjikë të konkurrojnë në sportet e grave.

“Unë mendoj se ne duhet të përqendrohemi në çështjet e mëdha që shqetësojnë – dhe tmerrojnë në disa raste – publikun”, u shpreh ajo.

Në Sky, Beth Rigby vuri në dukje se zonja Mordaunt do të ishte kryeministrja e parë beqare që nga Ted Heath, përmendi mosmarrëveshjen për mëmësinë për Theresa May dhe e pyeti nëse e ‘irritonte’ atë që amësia dhe martesa janë ende ‘relevante’ duke folur për gratë në pozita të fuqishme.

Zonja Mordaunt tha se prejardhja e njerëzve ishte e rëndësishme si për burrat ashtu edhe për gratë që kërkonin poste publike, por tha se pyetja pse nuk je i martuar, nuk u bëhet kurrë burrave.

Identiteti i dy kandidatëve të cilët do të mbesin të fundit të në garën e konservatorëve, ende nuk janë të qarta, edhe pas raundit të dytë të votimit.

Ish-kancelari Rishi Sunak doli në krye me 101 vota dhe zonja Mordaunt ishte e dyta me 83 – duke shtuar 16 vota në numrin e votave të raundit të parë.

Zonja Truss ishte ende shumë prapa me 64 – 14 më shumë se raundi i parë- ndërsa zonja  Badenoch  mori 49, nëntë më shumë se raundi i parë.

Edhe Tom Tugendhat është ende në betejë me 32 vota pavarësisht se ka humbur mbështetje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb