Policia e Fierit ka arrestuar 3 persona, 1 prej të cilëve pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Burime zyrtare bënë me dije se u arrestua në flagrancë shtetasi Arian Gucaj, 56 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit” duke transportuar me automjetin tip “Fiat”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Po ashtu, pas hekurave përfundoi shtetasi Enver Tahirllari, banues në Patos pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Armir Dervishaj, 26 vjeç, banues në Patos, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Fier dhe Lushnjë, proceduan përkatësisht shtetasit Rushan Plaka, banues në fshatin Vidhisht, Roskovec dhe Ardian Sema, banues në fshatin Rrupaj, Lushnjë, pasi duke djegur barëra në tokat e tyre, si pasojë flakët e zjarrit kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë djegur sipërfaqe me ullinj dhe misër në pronësi të shtetasve Xh. H., L. H dhe P. M.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb