TIRANË

Analisti dhe gazetari, Ervis Iljazaj, ishte i ftuar në rubrikën “Opinion”“News24”, ndërsa foli për temat më të rëndësishme të fushës së politikës, por dhe aktorët  që janë pjesë e saj. Fillimisht ai u ndal tek përplasjet e forta të Presidentit të Republikës Ilir Meta me kreun e KED, Ardian Dvoranin, ku shtoi se në këtë rast kreu i shteti po bën një punë të jashtëzakonshme në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, të gjithë aktorët socialë në vend duhet të tregojnë maturi dhe vëmendje tek procesi se si po ngrihen organet e reja të drejtësisë, duke shtuar se kjo do të përcaktojë fatin e politikës shqiptare në dekadat e ardhshme.

“Kohët e fundit është e vështirë të kesh besim tek prokuroria që iku, te kjo e reja le të provohet. Presidenti Meta po e bën këtë betejë për mbrojtjen e Kushtetueses. Ai dha një shpjegim sot, që unë gjykoj se ai është i vërtetë. Kushtetutshmëria për krijimin e Gjykatës Kushtetuese nuk u zbatua. Pyetja që duhet ngritur është: Presidenti Meta me debatin që ka hapur, si ndikon në reformën në drejtësi, unë gjykoj që e përmirëson.  Reforma në drejtësi do të ndikojë në dekadat e ardhshme të politikës shqiptare, në këtë kuptim ne duhet të jemi të kujdesshëm për mënyrën se si po ndërtohen ato. Veprimet e presidentit Meta, alarmi që ka ngritur për reformën në drejtësi, unë gjykoj se janë të drejta. Kjo është beteja e fundit mes Ramës dhe Metës. Krizën politike duhet ta zgjidhin  organet e reja . Jemi mësuar në Shqipëri, për një vend pune të paguajmë dy veta.

Me sa duket edhe në Gjykatën Kushtetuese, do të paguajmë dy veta për një vend pune. Ideja është këtu. Kushtetuta e thotë shumë qartë: anëtari i gjykatës duhet të betohet para Presidentit. Ne nuk jemi republikë noteriale, zonja shprehu një vullnet  individual, por shteti ka një ceremoni shumë të rëndësishme, këto janë  ceremonitë që e dallojnë  atë nga një  republikë bananesh. Në këtë moment nuk ka më shpresa se kjo do të zgjidhet nga një dialog.Në këtë situatë ku të gjithë janë kundër të gjithëve, që nuk ka një arbitër që i gjykon, atëherë them se fiton forca, kush e ka forcën? e ka maxhoranca. Idetë dhe mendimet e maxhorancës do të ecin sipas maxhorancës, ashtu siç kanë ecur deri tani. Maxhoranca duhet të kuptojë një gjë: Demokracia është maxhoritare, konstitucionalizmi ka lindur për të mbrojtur minorancën dhe jo maxhorancën. Ne i ngatërrojmë këto koncepte. Sovraniteti është i kufizuar. Ky është shteti i së drejtës, por për fat të keq arbitrariteti i maxhorancës po çon përpara idenë e maxhorancës”-tha Iljazaj.

I pyetur për procesin gjyqësor të çështjes “Babale”, analisti pohoi se ky proces po shoqërohet me presione politike nga të dyja palët. Prokuroria në senacën e sotme  kërkoi burg për të përfshirët, ndërsa tani fjalën e fundit do ta japë gjykata.

“Po e prisja, duke parë historikun si ka vajtur. Është proces i paragjykuar, sepse u kthyer në betejë politike, politika ndërhyri dhe ndikoi në këtë proces. Në situata të tilla, unë nuk gjykoj të vërtetën e njërës  palë apo tjetrës. Në këtë rast shikohen sjelljet e institucioneve, për fat të keq  sjellja e prokurorisë është një sjelljeje e paragjykuar.  Ky proces është i ndikuar nga presione politike nga të dyja palët. Nuk e di se çfarë vendimi do të marrë gjykata, por unë i besoj Ramës kur thotë se kemi një sistem drejtësie të pabesueshëm. Nëse kryeministri me thotë  se prokurorët janë KCK, edhe për këtë rast nuk kam çfarë t’i besojë”-shtoi ai.

Një tjetër temë me ndjeshmëri të lartë, e cila u komentua gjatë nga gazetari Iljazaj ishte dhe fatkeqësia natyrore të 26 nëntorit, ku për pasojë 51 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur. Ai tha se kjo situatë tregoi se strukturat shtetërore janë të papërgatitura, ndërsa shtoi faktin se kjo u dëshmua nga puna në terren e forcave të kërkim-shpëtimit, por edhe te koordinimi i ndihmave ushqimore për të prekurit.

“Kjo fatkeqësi tregoi se jemi shoqëri solidare por fatkeqësisht jo racionale, sepse menaxhimi i krizës u bë e pakoordinuar, kryeministri thoshte se nuk kemi nevojë për ndihma, të tjetër thonin se kemi nevojë për ndihma.  Unë pashë pamjet, në ditën  pas tërmetit,  pashë që rrënojat hiqeshin pa dorashka. Përpjekja e tyre individuale, bëri që ata të ishin efikas, dhe jo efikasiteti i shtetit. Unë kam qenë të çadrat, por pashë  një kaos. Këtë perceptim pata nga kjo fatkeqësi. Duhet të kemi gatishmërinë e përgatitjen. Nuk kishim mjetet e duhura. Këtu janë për t’u falënderuar njerëzit, të cilët edhe pse në kushte jo të mira, bën shumë për të ndihmuar fatkeqët nga tërmeti.

I pyetur për ftesën e kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës dhe për rolin që ka luajtur Basha në këtë fatkeqësi natyrore, Iljazaj u shpreh si vijon: “Sjellja e Lulzim Bashës ka qenë një sjelljeje politike korrekte. Unë gjykoj se nuk ka pse ulet lideri  i opozitës me atë të maxhorancës në këtë moment. Gjithsecili mund të bëjë punën e vet, pasi mund të komunikojnë në distancë. Nuk është nevoja të bejnë foto bashkë. Edi Rama ka marrë të gjithë reflektorët, sepse kjo situatë mund t’i japë një avantazh dhe një disavantazh politik.  Vendimet që do të ndërmarrë qeveria janë të vështira. Edi Rama ka përkrahje nga shumë persona publikë. Për të mirën e Shqipërisë, mirë bën që Lulzim Bashën ta ketë përballë”- përfundoi Iljazaj.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb