Kryeministri Edi Rama, ka mbledhur sot kabinetin e ri qeveritar në mbledhjen e parë, ku do të miratohen disa vendime. Që në nisje të fjalimit të tij, kreu i qeverisë i kujtoi ministrave të vjetër dhe të rinj Kodin Etik, që ata duhet të respektojnë gjatë mandatit të tyre.

Ai theksoi se nëse evidentohen shkelje të kodit etik nga ana e ministrave, këta do të duhet të kërkojnë falje publike. Por në rast se ata e përsërisin një shkelje, do të duhet të japin dorëheqje.

“E ndajmë edhe me opinionin publik këtë nisje zyrtare të punës sonë të përbashkët fillimisht si nevojë për të komunikuar me dyer të hapura disa norma të Kodit Etik të Këshillit të Ministrave dhe përmbajtjen e vendimeve që do të marrim në këtë mbledhje të parë që qeverisë së re.

Çdo anëtar i kabinetit duhet të zotohet këtu publikisht në respektimin me besnikëri në frymë dhe në germë të Kodit Etik, duke marrë kështu qysh sot edhe përpara publikut përgjegjësinë personale për zbatimin e tij.

Teksti i Kodit Etik  është aprovuar me vendim të qeverisë në shtator të vitit 2013, si një dokument parimesh që përcakton vijën e sjelljes së anëtarëve të qeverisë. Kodi është në fuqi dhe unë këtu do qëndroj në disa pika kyçe të thëna ose jo shprehimisht në dokumentin e miratuar.

Fjalët që do dëgjoni janë rrjedhojë edhe e eksperiencës e këtyre viteve dhe e nevojës që jo vetëm puna, por edhe sjellja  publike e anëtarëve të qeverisë të jetë sa më e njehësuar me pritshmërinë e qytetarëve ndaj nesh, që ata na kanë besuar shërbimin e lartë të qeverisjes së vendit.

Për shembull, në Kod nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë nuk duhet të fluturojnë si rregull në business class kur udhëtojnë nëpër Europë, as që anëtarët e qeverisë nuk mund të shkojnë me pushime jashtë shtetit. Nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë të mund shkojnë në kafene ose të drekojnë ose darkojnë në restorant gjatë ditëve të punës, përveçse festa familjare për të cilat njoftojnë paraprakisht kabinetin e Kryeministrit ose vetëm në raste të veçanta kur dreka apo darka ka një arsye pune të bërë me dije më parë. Natyrisht këtu nuk e kam fjalën për rastet kur ministrat janë me punë jashtë Tiranës, por për ditët e punës në Tiranë.

Dy të parat, për udhëtimet dhe pushimet përgjithësisht janë zbatuar dhe kjo ka shënuar një ndryshim të rëndësishëm në aspektin etik,  krahasuar me kohët e mëparshme kur anëtarët e qeverisë udhëtonin si biznesmenë apo shulleheshin në plazhet e botës. Por edhe këto duhen shtuar për miratim dhe detajuar në një aneks të Kodit ku të shkruhen të gjitha rastet përjashtimore apo të përcaktohet shprehimisht, fjala vjen, se një ministër nuk mund të pranojë bileta udhëtimi të paguara nga kompani private as për veten, as për bashkëshortin apo bashkëshorten apo fëmijët e vet. Ashtu si psh duhet përcaktuar në aneksin e Kodit Etik që bashkëshortët e fëmijët e tyre nuk mund të përdorin sallën VIP të aeroportit nëse nuk udhëtojnë së bashku me ministrin përkatës.

E njëjta gjë vlen për lëvizjen e veturave të anëtarëve të qeverisë në rrugë, të cilat duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit njësoj si të gjitha automjetet, përveçse në raste urgjencash të pashmangshme apo njësoj ndalimi i përdorimit të makinës së ministrit për familjarët, në mungesë të tij/saj.

E treta, ndalimi për të shkuar në restorant apo kafene, në ditët e punës, përvec rasteve që u parathanë, megjithëse është sjellë në vëmendje nga ana ime më shumë sesa një herë, për fat të keq nuk është zbatuar. Kjo është dhe arsyeja që përveçse për të shprehur nevojën e një aneksi të detajuar të Kodit, dua ta them publikisht sot që të gjithë qytetarët ta dine, së pari, që qeveria ka një Kod Etik dhe së dyti, ky Kod Etik nuk është vetëm një kornizë normash të përgjithshme etike në letër, por një mënyrë jetese për detyrën publike të çdo ministri në respekt të qytetarëve.

Ndaj, dua ta bëj me dije dhe publikisht që në rastin e parë të mosrespektimit të këtyre dhe të tjera pikave të Kodit Etik, ministri përgjegjës duhet të kërkojë ndjesë publike, ndërsa në rast përsëritje, duhet të lirojë vendin në këtë tryezë. Për të mos patur asnjë ekuivok , kjo kornizë vlen njësoj edhe për mua dhe më vjen mirë ta them që jo vetëm nuk e kam pasur problem ta respektoj 8 vjet, por nuk e kam problem ta respektoj edhe 4 të tjera-” tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: