Gjatë kësaj vere, Shqipëria është promovuar pothuajse në të gjithë mediat ndërkombëtare, për bukuritë e saj, natyrën ende të virgjër dhe mikpritjen e njerëzve.
Promovime këto, që kanë sjellë rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve të huaj. Por nga ana tjetër, veç mediave ndërkombëtare të cilat kanë ftuar turistët të vizitojnë Shqipërinë duke nxjerr shpeshherë në pah, vetëm anët pozitive të vendit tonë, ministritë e Jashtme të shumë vendeve të botës, kanë një listë me këshilla për të gjithë ata që duan të vizitojnë vendin tonë.

Top Channel kreu një vëzhgim në disa prej faqeve të internetit të ministrive të Jashtme, shtetasit e të cilëve janë dhe turistët kryesor në Shqipëri. Republika Çeke, Polonia, Britania e Madhe dhe Italia kërkojnë nga qytetarët e tyre të tregojnë kujdes lidhur me grabitjet, pasi disa te tilla janë raportuar në hotele në Vlorë e Sarandë.

Një tjetër pikë të cilën të gjitha ministritë e rendisin si me problematikën, është udhëtimi me makine.

Drejtimi i makinës mund të jetë shumë i rrezikshëm. Rrugët janë jo të mira, veçanërisht në zonat rurale. Ndriçimi i rrugëve në zonat urbane, shpesh herë fiket për shkak të ndërprerjes së energjisë. Edhe në rrugët inter-urbane, mungon ndriçimi. Shoferet shqiptarë shpesh herë mund të jenë të dhunshëm.” – shkruan “Foreign Office e Britanisë së Madhe.

Ministria e jashtme e Çekisë, i rekomandon qytetarëve të saj që të mos e kalojnë natën jashtë dhe të jenë të kujdesshëm kur udhëtojnë në zona të thella të Shqipërisë.

Një tjetër pikë ku te gjitha shtetet janë në një zë, është shëndetësia. Ato i rekomandojnë qytetarëve të tyre që përpara udhëtimit të kenë sigurimin shëndetësor që mbulon dhe transportin me avion, pasi niveli i qendrave shëndetësore, lë për të dëshiruar.

Por pavarësisht te gjitha paralajmërimeve nga shtetet e tyre, duket se ato nuk janë marrë shumë parasysh nga turistet, çka ndoshta është dhe treguesi më i mirë për nivelin e sigurisë. Një tregues, që do të kërkonte dhe angazhimin e diplomacisë shqiptare, për të kërkuar ndryshimin e listës së “rreziqeve” qe mund t’i kanosen turistëve në vendin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: